“Globe Soccer Awards”, Tare dhe Ronaldo finalistë për çmimet e mëdha
Parada e yjeve të futbollit botëror në Dubai për Globe Soccer Awards do të bëhet këtë vit më 29 dhjetor. Në të do të jenë edhe dy ‘italianë’ mes kandidatëve të shumtë për çmime kryesore. Njëri është Cristiano Ronaldo i Juventusit, i cili do të konkurrojë Leon Messin, Virgil van Dijk dhe Mohamed Salah për titullin e “Lojtarit më të mirë të Vitit”.
Tjetri është drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, i cili do të konkurrojë me Andrea Berta-n (Atletico Madrid), Eric Abidal (Barcelona) dhe Marc Overmars (Ajax) për titullin “Drejtori më i mirë sportiv”. Ndër zbulimet e vitit 2019, kandidatë kryesor është Erling Haaland nga Salzburg, por nuk duhen harruar as Jadon Sancho (Borussia Dortmund), Joao Felix (Atlético Madrid) dhe Ansu Fati Vieira (Barcelona).
Në seksionin e trajnerëve, finalistët janë Jurgen Klopp i Liverpoolit, Fernando Santos i kombëtares portugeze dhe Erik Ten Hag i Ajax. Sa i përket femrave çmimi i lojtares më të mirë do të ndahet nga një mes Alex Morgan, Megan Rapinoe, Lucy Bronze dhe Amandine Henry.
Lojtarë të shumtë nga futbolli botëror pritet të marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Sipas mediave italiane pjesë e mbrëmjes gala do të jenë Miralem Pjanic, Ryan Giggs, Joao Felix, ish-lojtari i Manchester United Mikael Silvestre, Sara Gama e Juventusit, Amandine Henry i Olympique Lyon, gjyqtari francez Stephanie Frappart, Romelu Lukaku i Interit, Didier Deschamps, Simone Inzaghi trajneri i Lazios, Fabio Capello dhe Pierluigi Collina. /Rozalb Lika-Koha Jone/