
Një episod i rëndë dhune ka tronditur futbollin në Ekuador. Futbollisti i klubit Ciudad de Yantzaza, John Perlas, është dënuar me tetë vite pezullim nga të gjitha aktivitetet futbollistike, pasi goditi me gur një gjyqtar anësor gjatë një ndeshjeje.
Ngjarja ndodhi në momentin kur lojtari nuk ishte në fushën e lojës. I pakënaqur me vendimet e arbitrit, Perlas humbi kontrollin dhe e qëlloi atë me gur. Në pamjet që kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, shihet se tentativa e parë e futbollistit nuk ishte e saktë, ndërsa në të dytën ai arriti ta godiste gjyqtarin.
Viktimë e këtij sulmi ishte arbitri anësor Lenin Giovanni Ojeda Núñez, të cilin guri e goditi në kokë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Për shkak të plagëve të marra, gjyqtari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe iu deshën rreth 60 ditë për t’u rikuperuar.
Federata e Futbollit e Ekuadorit (FEF), përmes një komunikate zyrtare, konfirmoi vendimin disiplinor ndaj lojtarit.
“Komisioni Disiplinor konstatoi se futbollisti ishte përgjegjës për sulmin fizik ndaj gjyqtarit dhe vendosi ta pezullojë atë për tetë vite nga të gjitha aktivitetet futbollistike, deri më 19 tetor 2034”, thuhet në njoftimin e federatës.
Përveç pezullimit të gjatë, Perlas është gjobitur me 2 mijë dollarë. Ai duhet të paguajë gjithashtu edhe 2,369.73 dollarë, shumë që përkon me shpenzimet mjekësore të gjyqtarit të dëmtuar.
Federata ekuadoriane ka bërë të ditur se do t’i kërkojë edhe FIFA-s që ndalimi i futbollistit të shtrihet në nivel ndërkombëtar.
Jhon Michel Perlaza, jugador del Club Ciudad de Yantzaza de la Segunda Categoría, fue sancionado con ocho años de inactividad por la agresión con una piedra a un árbitro. 👉 https://t.co/GGC8lheixy https://t.co/KCX4F0nMJn
— lavozderiobamba (@lavozderiobamba) November 19, 2026
