Granit Xhaka: Kalimi te Sunderland ndodhi shumë shpejt, ndikoi edhe Lorik Cana
Mesfushori i Sunderland, Granit Xhaka, ka folur së fundmi për vendimin e tij për t’u transferuar te klubi anglez, duke zbuluar se rikthimi në Premier League erdhi më shpejt nga sa e kishte parashikuar.
“Nuk e prisja që do të kthehesha në Premier League, por gjithçka ndodhi shumë shpejt”, u shpreh Xhaka. Ai theksoi se bisedimet me presidentin e klubit, Kyril Louis-Dreyfus, kanë qenë vendimtare, ashtu si edhe këshillat e figurave të njohura të Sunderland, si Jermain Defoe dhe Lorik Cana.
Xhaka vlerësoi veçanërisht rolin e ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, duke nënvizuar se ndajnë një prejardhje të ngjashme dhe se përvoja e tij e suksesshme në Sunderland pati ndikim të madh në vendimin final.
“Të dy, Jermaini dhe Loriku, folën shumë mirë për klubin dhe për tifozët. Kjo më ndihmoi ta shihja veten pjesë të këtij projekti”, tha mesfushori.
Ai rikujtoi gjithashtu largimin nga Arsenali drejt Bayer Leverkusen, ku kishte firmosur një kontratë pesëvjeçare në moshën 30-vjeçare, me bindjen se do ta mbyllte karrierën në Gjermani. Megjithatë, rrethanat ndryshuan dhe Sunderland u shfaq si një mundësi bindëse.
KOHA JONË SONDAZH

