Gravina ironizon pas dorëheqjes nga Federata: “Sikur të shënoja penalltitë, Italia do ishte në Botëror”
Federata Italiane e Futbollit vijon ende pa një president të ri, ndërsa zgjedhjet janë planifikuar të mbahen më 22 qershor. Deri në atë moment, drejtimi i institucionit mbetet përkohësisht në duart e Gabriele Gravinës, i cili ka paraqitur dorëheqjen, por vazhdon të komentojë situatën e futbollit italian dhe krizën që po kalon kombëtarja.
Duke folur për eliminimin nga Kupa e Botës, Gravina u ndal te ndeshja ndaj Bosnjës, ku vlerësoi përkushtimin e futbollistëve dhe ndikimin e trajnerit Gennaro Gattuso. Sipas tij, skuadra dha maksimumin në fushë, ndërsa tekniku solli energji dhe frymë pozitive, pavarësisht kohës së kufizuar që pati në dispozicion për të punuar me ekipin.
Megjithatë, ai pranoi se momentet vendimtare të sfidës ishin goditjet nga pika e bardhë, duke përdorur ironi për të komentuar situatën. Gravina tha se ndoshta duhej të kishte qenë një futbollist më i mirë dhe të kishte shënuar penalltitë apo rastet e humbura, duke lënë të kuptohet se dështimi nuk mund t’i faturohet vetëm drejtuesve.
Sa i përket dorëheqjes së tij, ai e cilësoi këtë si një vendim të vështirë, por të nevojshëm. Sipas Gravinës, largimi ishte një gjest i fundit dashurie për futbollin italian, ndërsa shtoi se e kishte menduar këtë hap edhe më parë për shkak të pengesave dhe vështirësive që po bllokojnë zhvillimin e sportit në vend.
Ai shprehu zhgënjim edhe për klimën e përgjithshme në Itali, duke theksuar se debati publik dominohet më shumë nga reagimet emocionale sesa nga analiza objektive. Gravina deklaroi se jeton pothuajse i izoluar dhe kishte shpresuar që pas pandemisë situata sociale të përmirësohej, por sipas tij disa fenomene janë përkeqësuar.
Në fund, ai kritikoi edhe klubet e Serie A, të cilat sipas tij fokusohen vetëm te interesat ekonomike dhe nuk investojnë sa duhet në rritjen e talenteve italiane. Sipas Gravinës, të vetmit që e mbështesin me zemër kombëtaren mbeten tifozët
KOHA JONË SONDAZH

