Grezda: Karantinën e kam kaluar me të dashurën, me Rejën asnjë konflikt
Futbolli në Kroaci do të rinisë në fillim të muajit qershor, teksa sulmuesi Eros Grezda është gati që të zbresë në fushën e lojës. Sulmuesi i kombëtares sonë foli për përvojën e karantinës, ndërkohë që konfirmoi se nuk ka asnjë konflikt me trajnerin Reja në Kombëtare.
“Kam kaluar shumë mirë në karantinë dhe nuk jam mërzitur fare. Kam qenë i angazhuar me stërvitje dhe jam në formë shumë të mirë. Para se të vinte më e keqja nga koronavirusi, unë i kisha marrë masat për t’u stërvitur. Më pëlqen shumë Kroacia dhe përveç motit ka shumë gjëra të tjera të mira, ndihem shumë mirë këtu.
Ne kemi filluar të hënën stërvitjen normale dhe ndeshja e parë do luhet më 31 maj me ndeshjet e Kupës dhe më 3 qershor do nisë kampionati. Nga klubi kemi disa rregulla strikte. Duhet të vijmë në stërvitje vetëm 10 minuta para dhe në dhomat e zhveshjes nuk mund të shkojmë për të bërë dush. Nuk na është ndaluar takimi me shokët.
Nëse lojtarët kanë bërë testet dhe kanë rezultuar negativë, nuk ka pse të kemi frikë gjatë ndeshjes. Pishman për kalimin te Rangers? Nuk jam bërë pishman për asgjë. Por Rangers është një klub shumë i madh, por kur më erdhi oferta nga ky klub isha i dëmtuar dhe nuk mund t’i thoja ‘jo’. Po shikoja disa ndeshje kur isha te Rangers. Atmosfera që krijohej atje është ndryshe nga çdo vend tjetër. Atje jetohet futbolli shumë. Për ne gjëja më e mirë është goli dhe na mungon shumë.
Kombëtarja? Me Rejën nuk kam pasur asnjë kontakt pas atij incidenti. Gjithmonë jap maksimumin dhe më pas të shpresoj te grumbullimi. Rikthimi këtu më ka bërë shumë mirë, jam në një formë shumë të mirë. Nëse Reja më bën ftesë, atëherë do ta pranoja menjëherë.
Te Rangers nuk shkuan gjërat shumë mirë dhe kur ndërpreva kontratën me ta, kisha shumë mundësi për të luajtur në klube të mëdha, por dëshira ishte të kthehesha te Osijek, ku ndihem si në shtëpi.
Karantinën e kam kaluar me të dashurën dhe nuk e kam kuptuar si kanë kaluar ditët kaq shpejt. Nuk e kam menduar asnjëherë çfarë do të bëj pas karrierës futbollistike.”, u shpreh Grezda për “FanZone”.