
Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka shprehur admirimin e tij të madh për Jürgen Klopp, duke e cilësuar teknikun gjerman si një prej figurave më të rëndësishme dhe frymëzuese të futbollit botëror.
Në një intervistë për “Bundesliga”, Guardiola nuk i ka kursyer vlerësimet për Kloppin, duke theksuar se ai është një trajner i jashtëzakonshëm, por edhe një personalitet që i jep shumë këtij sporti.
“Klopp është një nga trajnerët më të mirë në futboll. Nuk mund ta përshkruaj as me fjalë se sa shumë e admiroj. Ai është një personalitet dhe trajner që e bën botën e futbollit më të mirë, falë karizmës dhe aftësisë së jashtëzakonshme për të komunikuar”, u shpreh Guardiola.
Tekniku spanjoll tha se është shumë i lumtur për rikthimin e Kloppit në drejtimin e një skuadre, duke besuar se prania e tij mund t’i japë një impuls të ri futbollit gjerman.
“Jam shumë i lumtur për rikthimin e tij në trajnim. Futbolli ynë ka nevojë për personalitete si Jürgen. Besoj se nën drejtimin e tij, kombëtarja gjermane do të mund të rikthehet në rrugën e duhur. Perceptimi i tifozëve për ekipin do të ndryshojë, kënaqësia do të rikthehet dhe mbështetësit do të ndihen sërish krenarë për kombëtaren e tyre. Kur mësova se ai do të merrte drejtimin e Gjermanisë, u gëzova jashtëzakonisht shumë”, deklaroi trajneri i Manchester Cityt.
Në fund, Guardiola theksoi se Klopp ka aftësinë të frymëzojë futbollistët dhe t’i bëjë ata të besojnë sërish te mënyra e tij e lojës.
“Jürgen do t’i frymëzojë lojtarët të përvetësojnë stilin e tij të futbollit dhe gjërat do të përmirësohen sërish. Askush nuk mund të parashikojë nëse Gjermania do të fitojë Kampionatin Evropian apo Kupën e Botës, por jam 100 për qind i bindur se tifozët gjermanë do ta rifitojnë krenarinë për kombëtaren e tyre”, përfundoi Guardiola.
