Guardiola reflekton: Kam qenë i padrejtë me Doku në ndeshjet e fundit
Pep Guardiola ka bërë autokritikë në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Aston Villa-s, duke pranuar publikisht se ka qenë i padrejtë ndaj njërit prej lojtarëve më në formë të Manchester City-t. Bëhet fjalë për sulmuesin belg, Jérémy Doku.
“Në ndeshjet e fundit kam qenë shumë i padrejtë me Doku-n. Më kujtohen sfidat në transfertë ndaj Tottenham dhe Brighton – pa të do të kishte qenë e pamundur. Ka dhënë shumë për skuadrën,” u shpreh trajneri spanjoll në konferencën për shtyp.
Guardiola shpjegoi se mungesa e minutave për 22-vjeçarin vjen si pasojë e një ndryshimi taktik: “E vetmja arsye pse nuk ka luajtur shumë kohët e fundit është sepse nuk po sulmojmë më nga krahët. Po përdorim më shumë mbrojtësit anësorë dhe mesfushorët e brendshëm.”
Megjithatë, tekniku i City-t nuk i fshehu fjalët e mira për paraqitjen e fundit të Doku-s: “Ndaj Evertonit ishte i pandalshëm në sulm. Ndikimi i tij ishte shumë më i madh sesa në ndeshjen kundër United-it, ku nuk kishte qenë shumë i mirë.”
Doku, për të cilin City pagoi 60 milionë euro ndaj Rennes verën e kaluar, është nën kontratë me “Qytetarët” deri në vitin 2028. Këtë sezon ka luajtur në 36 ndeshje, duke shënuar 6 gola dhe dhënë 7 asistime – shifra që konfirmojnë potencialin dhe rëndësinë e tij për kampionët në fuqi të Anglisë. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

