
E ardhmja e Manchester Cityt vazhdon të jetë në pikëpyetje, ndërsa futbolli anglez pret me padurim vendimin përfundimtar të një prej proceseve më të bujshme në historinë e Premier League. Klubi i drejtuar nga Pep Guardiola përballet me 115 akuza për shkelje të rregullave financiare, të dyshuara se janë kryer gjatë periudhës 2009-2018. Në rast se shkeljet konfirmohen, pasojat mund të jenë të rënda, duke filluar nga zbritja e pikëve deri te përjashtimi nga kampionati.
Për këtë çështje është pyetur edhe Erling Haaland, por sulmuesi norvegjez ka zgjedhur të mos japë një qëndrim të drejtpërdrejtë. Në një intervistë për televizionin norvegjez “TV2”, pas ndeshjes së fundit me përfaqësuesen, ai iu përgjigj pyetjes duke kujtuar karrierën e tij gjatë viteve kur dyshohet se janë kryer shkeljet.
“Në vitin 2009 luaja me ekipin U9 të Bryne. Në vitin 2010 isha te U10, në 2011 te U11, në 2012 te U12 dhe në 2013 te U13. Duhet të vazhdoj? Nuk ka nevojë për të gjithë listën”, u shpreh Haaland.
Më pas, ai vijoi të tregonte rrugëtimin e tij te ekipet e moshave të Bryne, kalimin te Molde në vitin 2017 dhe aktivizimin me ekipet e para dhe ato të të rinjve në vitin 2018.
Në këtë mënyrë, norvegjezi la të kuptohej se nuk kishte asnjë lidhje me periudhën që përfshin hetimi.
Ndërkohë, Manchester City vazhdon të kundërshtojë akuzat dhe pret përfundimin e procesit. Vendimi përfundimtar dhe sanksionet e mundshme mbeten një nga temat më të diskutuara të futbollit anglez, me pasoja që mund të ndikojnë ndjeshëm në historinë e klubit.
🚨🚨 WATCH: Erling Haaland asked about @ManCity charges for the first time: https://t.co/RaOkczrPID
— James Wathland (@JamesWathland) November 14, 2026
