Hakerët iranianë kërcënojnë Kupën e Botës: Nuk na pëlqejnë disa ekipe, prandaj kini kujdes me autobusët!
Një grup hackerësh i identifikuar me emrin Handala, i cili raportohet se ka lidhje me Iranin, ka pretenduar se ka depërtuar në sistemet e dronëve të përdorur nga FBI dhe ka lëshuar kërcënime ndaj Kupës së Botës 2026, duke ngritur shqetësime për sigurinë e turneut.
Sipas një deklarate të publikuar nga Site Intelligence Group, organizatë që monitoron aktivitetin e grupeve ekstremiste dhe kërcënimeve kibernetike, kolektivi Handala pretendon se ka pasur akses për muaj të tërë në pamjet dhe informacionet e mbledhura nga dronët FPV (First Person View) të përdorur nga autoritetet amerikane.
Në mesazhin e publikuar, grupi paralajmëroi organizatorët e Botërorit që të forcojnë masat e sigurisë.
“Do të bënit mirë të rrisnit sigurinë në Kupën e Botës, sepse disa prej atyre skuadrave të futbollit nuk na pëlqejnë aspak. Mos harroni: dronët FPV janë kudo dhe nuk dihet kurrë se kur njëri prej tyre mund të përfundojë pranë autobusit të ekipit tuaj”, thuhet në deklaratë.
Kërcënimi vjen në një moment kur autoritetet amerikane kanë vendosur masa të jashtëzakonshme sigurie për turneun, i cili po zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Më herët, agjencia iraniane e lajmeve Tasnim publikoi një tjetër deklaratë të Handala-s, ku grupi pretendonte se kishte depërtuar në sistemet e furnizimit me ujë në Kaliforni. Sipas tyre, sulmi ishte një përgjigje ndaj asaj që e cilësuan si sulme ndaj infrastrukturës ujore iraniane.
Megjithatë, grupi deklaroi se nuk kishte shkaktuar ndërprerje në furnizimin me ujë, duke e cilësuar veprimin si një “paralajmërim për Uashingtonin”.
Deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga autoritetet amerikane mbi vërtetësinë e pretendimeve të grupit për depërtimin në sistemet e FBI-së apo infrastrukturat publike.
KOHA JONË SONDAZH

