Hakimi i shkel “syrin” Real Madridit për rikthimin: Përse jo? Është shtëpia ime
Achraf Hakimi ka lënë të kuptohet se në fund të sezonit do të rikthehet te Real Madridi. Mbrojtësi maroken i cili po shkëlqen edhe këtë sezon te Borussia Dortmund, në fund të verës së ardhshme do të mbyllë periudhën e huazimit dy-vjeçar te skuadra verdhezi.
Një nga mbrojtësit më të mirë në botë, spikati mbrëmjen e së martës duke shënuar dy gola në përmbysjen e çmendur 3-2 ndaj Interit në Champions League.
“Rikthimi te Reali? Pse jo. Real Madridi është shtëpia ime, pasi atje jam rritur. Do të jem te Borussia deri në fund të sezonit dhe më pas do të shohim”, ka thënë Achraf për Cadena Ser.
Hakimi, është një nga mbrojtësit e djathtë më të spikatur në Europë, teksa mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes, duke u përshtatur në disa skema te skuadra e Dortmundit. Edhe pse është vetëm 21 vjeç, ai ka luajtur në 22 ndeshje me Marokun. /R.Lika-Koha Jone/