Hakimi: Të gjithë flasin për titullin, por duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një!

Achraf Hakimi është një ndër protagonistët absolut të këtij sezoni te skuadra e Interit. Mbrojtësi maroken ndihmoi zikaltërit në fitoren 2-1 ndaj Spezias, duke zhbllokuar ndeshjen në fillimin e pjesës së parë. Krejt ndryshe nga shokët e tij dhe shumë specialist, ai përpiqet që të evitojë komentet kur flitet për titullin.

“E dinim që ishte e rëndësishme që të fitonim, dhe e arritëm një gjë të tillë. Të gjithë flasin për titullin, por duhet të shohim ndeshje pas ndeshje dhe të përpiqemi të fitojmë.  Leao? Është një futbollist i madh dhe i shpejt, por nuk e di nëse është më i shpejt se unë”, deklaroi marokeni.

Hakimi u bashkua këtë verë me Interin, teksa zikaltërit derdhën 40 milionë euro në arkat e Real Madrid. Deri më tani në 18 ndeshje që ka zhvilluar në kampionat dhe Champions, ka bërë paraqitje fantastike, duke qenë një nga pikat e forta të zikaltërve. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP