Halili dyfishon shpërblimin për një sukses të mundshëm ndaj serbëve të Zvezdës
Tirana fitoi 2-0 kundër Dinamo Tbilisit, duke siguruar një biletë për në raundin e dytë kualifikues në Champions League. Për fitoren ndaj gjeorgjianëve futbollistët e Tiranës morën një shpërblim prej 100 mijë dollarësh nga presidenti Refik Halili, ndërkohë që një akoma më i madh do të vijë nëse do të kalojnë në raundin e tretë kualifikues.
Mediat në Serbi raportojnë se bëhet fjalë për shumën e 200 mijë dollarëve në total, që do të ishte një shpërblim i shkëlqyer duke marrë në konsideratë rrogat në vendin tij.
“Para ndeshjes me Dinamo Tbilisin, shpërblimi ishte 100 mijë dollarë, ndërkohë kundër Zvezdës do të jetë dy herë më i lart. Pronari Halili nuk do të kursejë para, për të motivuar më shumë lojtarët për t’u kualifikuar për në raundin e tretë kualifikues”, u shpreh Kosta Grillo për mediat serbe.
Halili kërkon të shpërblejë futbollistët dhe stafin për punën e shkëlqyer që po vijojnë në Europë, pasi fituan titullin në vitin e 100-vjetorit të klubit. /R.Lika-Koh Jone/