Halili: Një dorë nga jashtë provoi të na dëmtojë, ja çfarë s’më pëlqeu!
Presidenti i Tiranës, Refik Halili në një lidhje telefonike për Supersport komentoi dyshimet për trukim të ndeshjes me Bylisin. Ai pranoi se mund të ketë pasur një dorë të jashtme në këtë çështje, por premtoi analizë të detajuar për të zbuluar se çfarë ndodhi sot në Ballsh.
“Nuk mund të hidhet një baltë e tmerrshme, në një moment shumë të vështirë, ku ne bëmë shumë rotacion. Është pak e pafalshme që ndryshuam aq shumë në formacion, por kjo është bërë që të kënaqim edhe ata që luajtën pak. Nuk hedh poshtë lojtarët e mi, por do të nis të bëj një analizë me detaje, për të kuptuar çdo gjë që ka ndodhur. Jam i bindur që të gjitha ndeshjet i kemi marrë me gjak dhe djersë, ndërsa çdo para e kemi hedhur në formë premioje për futbollistët. Unë jam shumë i mirë, por edhe shumë i keq për raste të tilla, ndaj do të analizoj me detaje çdo rast.
Ndeshja e sotme mund të jetë e kapur nga njerëz të tjerë, jashtë klubit të Tiranës, që kanë provuar të fitojnë para, por ju garantoj që janë shkatërruar. Nuk jemi eliminuar nga Kupa dhe ju siguroj që do të kualifikohemi në ndeshjen e kthimit. Pashë një atmosferë që nuk më pëlqeu. Nëse kanë provuar të fitojnë para në kurriz të Tiranës, ju siguroj që i kanë humbur dhe janë shkatërruar.
Hetim nga prokuroria? Patjetër që po, dhe nëse provohet që Tirana ka përfituar qoftë edhe një dollar nga kjo ngjarje, pranoj jo vetëm të dënohem, por edhe të varem në litar. Kam investuar 14 milionë euro për këtë klub dhe nuk mund ta shkatërroj për 50, 100 apo 300 mijë euro. Nëse konstatohet diçka e tillë, jam gati të varem në litar. Unë nuk kam ndërhyrë kurrë në formacion dhe përfitoj nga rasti të konfirmoj se kam vendosur që të mbaj Egbonë në pankinë edhe për sezonin e ardhshëm. E kemi mbyllur marrëveshjen me të dhe do të vijojmë bashkë. Megjithatë e theksoj që ndikuan edhe ndryshimi i formacionit dhe temperaturat e larta.
Kur shikoja që Lika bënte gjithë ato pritje, kuptova që kishte një farë tolerimi. Ndikuan edhe ndryshimet e shumta në formacion. Megjithatë që sonte unë do të mbledh klubin dhe do të kërkoj të gjej çfarë ka ndodhur. Kemi fituar me gjak, mund dhe djersë në çdo ndeshje, ndaj nuk dua të na i hedhin poshtë këtë”, u shpreh Halili.