Hansi Flick rinovon me Barcelonën deri në vitin 2027: Do të vijojmë me trofe të tjerë!

Barcelona dhe trajneri Hansi Flick do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe për tre vite të tjera. Klubi katalanas njoftoi zyrtarisht se kontrata e trajnerit gjerman është zgjatur deri më 30 qershor 2027.
Flick u shpreh entuziast për besimin që i është dhënë: “Jam i lumtur që ky udhëtim vazhdon. Kemi një potencial të madh, me një skuadër të re dhe shumë të etur për të përparuar. E dimë që duhet të përmirësohemi, dhe do ta bëjmë. Dua të arrijmë të njëjtat suksese si sezonin e kaluar. Puna jonë është e përditshme dhe qëllimi kryesor është fitimi i trofeve. Kjo është Barcelona”, u shpreh ai.
Ndërkohë, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, shkroi në rrjetet sociale: “Hansi, faleminderit që vazhdon të kontribuosh në historinë e Barcelonës, klubi më i mirë në botë. Tifozët të duan dhe besojnë se do ta udhëheqësh skuadrën drejt fitoreve të tjera.”
Ceremonia e firmës u zhvillua në prani të presidentit Laporta, trajnerit Flick, zëvendëspresidentit për çështjet sportive Rafa Yuste, drejtorit sportiv Deco, ndihmësit të tij Bojan Krkic, anëtarëve të komitetit sportiv Joan Soler dhe Enric Masip, si dhe agjentit të Flick, Pini Zahavi.
Pas nënshkrimit, u realizuan fotot zyrtare dhe presidenti Laporta i prezantoi Flick-ut një model të ri të stadiumit “Spotify Camp Nou”, ku do të ulet për herë të parë si trajner zyrtar nga sezoni i ardhshëm.