Harry Kane ka një klauzolë që tremb Bayernin, mund të largohet për …
E ardhmja e Harry Kane vazhdon të jetë një temë e nxehtë te Bayern Munich. Pyetja që po qarkullon në ambientin bavarez është sa i madh është realisht rreziku që klubi të humbasë bomberin e tij kryesor. Për këtë çështje ka folur drejtori sportiv i Bayern-it, Max Eberl, duke komentuar zërat e fundit mbi një klauzolë largimi që mund të aktivizohet gjatë verës.
Sipas mediave gjermane, në kontratën e sulmuesit 32-vjeçar anglez ekziston një klauzolë që do t’i lejonte largimin nëse një klub do të paraqitej me një ofertë prej rreth 65 milionë eurosh. Një detaj që ka shkaktuar shqetësim te kampionët e Gjermanisë.
“Nuk mund të konfirmoj zërat që qarkullojnë për dikë që po përgatit diçka. Mund të them vetëm se jemi në kontakt të ngushtë me Harry-n, për sa i përket tij dhe suksesit tonë të përbashkët. Hapat e radhës do të vijnë më pas,” u shpreh Max Eberl në konferencë për shtyp, në prag të çerekfinales së Kupës së Gjermanisë ndaj Leipzigut.
Kontrata e Kane me Bayern Munich skadon në vitin 2027, por sipas asaj që raporton Kicker, klauzola e përfshirë në marrëveshjen e ish-sulmuesit të Tottenham-it nuk ka skaduar më 31 janar, por mbetet e vlefshme deri në fund të muajit shkurt. Përveç një rikthimi të mundshëm në Premier League, në prapaskenë përflitet edhe për interesim nga klubet e Arabisë Saudite.
Në fund të muajit janar, vetë Eberl kishte pranuar ekzistencën e kontakteve me lojtarin, duke sqaruar situatën: “Më është bërë një pyetje dhe unë jam përgjigjur: ‘Po flasim’. Nuk kam thënë se jemi në negociata. Bisedimet ende nuk kanë nisur.” Një situatë që mban në ankth Bayern-in, ndërsa e ardhmja e një prej sulmuesve më të mirë në botë mbetet ende për t’u vendosur.
KOHA JONË SONDAZH

