Heroi i Paok-ut në derbin ndaj Olimpiakos, flet Mihaj: I lumtur që vendosa sfidën!
Enea Mihaj i dha fitoren Paok-ut me golin e shënuar në sfidën ndaj Olimpiakos (1-0).
Një gol me vlerën e tri pikëve në minutën e 90-të në një moment kur PAOK është në garë për vendin e dytë, që garanton biletën e kualifikueseve në Ligën e Kampioneve.
“Është diçka e veçantë, pasi është goli im i parë në karrierë. Speciale e bën edhe fakti që ne morëm një fitore të rëndësishme me atë gol. Po e ndiqja me vëmendje të gjithë trajektoren e topit në aksionin e golit, e ndoqa dhe shënova. Trajneri më dha disa shpjegime se çfarë duhet të bëja në aspektin defensiv, unë i zbatova dhe në fund ia dola edhe të shënoja.
Duhet të kemi të njëjtën dëshirë dhe sjellje në fushë edhe përballë AEK-ut. E dimë që është një skuadër e vështirë, por do të bëjmë më të mirën për të marrë maksimumin”, ka deklaruar qendërmbrojtësi i Kombëtares, Enea Mihaj.
PAOK është në vend të dytë në kampionat, me 3 pikë më shumë sesa kundërshtari i radhës, AEK, dhe do të jetë një ndeshje që do të vendosë për ekipin e dytë pas Panathinaikosit që do të marrë pjesë në Champions.