Hetimi për Bylis-Tirana/ Dëshmojnë Lici dhe arbitri i ndeshjes
Mesditën e sotme, një pjesë e rëndësishme e vlerësimit të integritetit të takimit të luajtur më 2 korrik mes Bylisit e Tiranës do të bëhet pas dëshmisë së presidentëve të dy klubeve dhe disa lojtarëve të të dyja ekipeve.
Në FSHF u paraqitën për t’u marrë në pyetje nga Komisioni i Etikës arbitri i ndeshjes së 2 korrikut, Juxhin Xhaja, dhe administratori i Vllaznisë, Suad Lici, i cili vuri në dyshim integritetin e ndeshjes.
Numri një i Tiranës, Refik Halili dhe ai i Bylisit, Besnik Kapllanaj do të paraqiten përpara Komisionit të Etikës për të dhënë versionin e tyre të ngjarjes. Përveç presidentëve, pritet të merren në pyetje edhe trajneri Emmanuel Egbo i Tiranës së bashku me disa futbollistë (Muça, Karabeci dhe Lika).
Ndërsa nga Bylisi pritet trajneri Dovedan, sulmuesi Murataj, autori i dy golave dhe Goxhaj, lojtari që humbi 11-metërshin në sekondat e fundit të ndeshjes. Ndeshja e parë në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, e cila u fitua 2-1 me përmbysje nga mallakastriotët në pjesën e dytë, u shoqërua me dyshime shumë të forta për trukime.
Gjithçka lindi prej lëvizjes së pazakontë të koeficienteve në kompanitë ndërkombëtare të basteve. Shifra të konsiderueshme u luajtën për golin e avantazhit të Tiranës, ndërsa edhe pse bardheblutë ishin favoritë shumë orë përpara ndeshjes, në pjesën e dytë koeficientet që favorizonin Bylisin ranë në mënyrë të dukshme.