Historia e europianëve të futbollit, Franca në podium pas 16 vjetësh

DOSSIER/Historia e europianëve të futbollit

Nga Skifter Këlliçi

(Vijon nga numrat e kaluar)

Swiss Digital Desktop Reklama

Kur nga data 10 qershor deri 2 korrik në Belgjikë dhe Holandë zhvillohej Euro 2000, unë së bashku me familjen kisha më shumë se një vit që isha vendosur në një qytet pranë Bostonit (SHBA). Dhe ajo që dua të vë në dukje është se për herë të parë në jetën time si gazetar sportiv, nuk pata rast të ndjek së afërmi këtë ngjarje të madhe, jo më nëpërmjet ekranit televiziv por, ashtu siç duhet as me gazeta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ishin disa arsye: së pari, sepse shtypi amerikan, deri diku me përjashtim të “New York Time”-sit”, megjithë se Amerika kishte organizuar Botërorin ‘94, i jepte vend fare të vogël Euro 2000, ose më saktë në cep të faqeve të veta sportive jepte shumë shkurt rezultatet e tij. Vetëm një telestacion transmetonte një ndeshje në ditë, por edhe atë me pagesë.

Nuk ishte puna se unë nuk kisha para për të paguar, por nuk kisha kohë për të ndjekur ndeshjet, sepse punoja në Aeroportin Ndërkombëtar Logan të Bostonit, prej orës 13:00 deri në 21:30, (ndeshjet me orën e Bostonit zhvilloheshin në orën 11:00 dhe 14:30, por për të arritur në aeroport duhej të lija shtëpinë në orën 11:30). Madje, për nevoja të kompanive ajrore gjatë qershorit të atij viti punuam çdo ditë pa pushim. Por, mbi të gjitha, nuk kisha blerë ende kompjuter që do të më kishte dhënë mundësi të njihesha me të gjitha të rejat sportive duke përfshirë edhe Euro 2000-në.  Po të kthehemi te Euro 2000-ja, të cilën UEFA vendosi ta zhvillonte në Belgjikë dhe Holandë, pra dy vende të vogla, por me tradita në futboll. Të 49 vendet pjesëmarrëse u ndanë në 9 grupe nga të cilat pesë me 5 skuadra dhe katër me nga 6 skuadra.  Në grupin “A” Italia hasi në rivalitetin e fortë të Danimarkës me një dukuri të habitshme: në shtëpinë e tyre danezët humbën 1-2, por edhe italianët para tifozëve të tyre ndoqën të njëjtin shembull duke humbur 2-3. Sidoqoftë të dyja u përcilësuan përkatësisht me 15 dhe 14 pikë. Aq kishte dhe Zvicra, por danezët kishin me golaverazh më të mirë. Uellsi kishte 9 pikë e ndjekur nga Bjellorusia me 3. Çuditërisht në grupin “B” të parët u renditën Norvegjezët me 25 pikë duke lënë pas Slloveninë me 17, Greqinë me 15 , Letoninë me 13, Shqipërinë me 7 dhe Gjeorgjinë me 5. Përfaqësuesja jonë i grumbulloi këto pikë pasi fitoi me Gjeorgjinë 1-0 dhe barazoi me Greqinë 0-0 në Tiranë, dhe Letoninë 0-0 n fushën e kundërshtarit, pastaj përsëri në Tiranë barazoi me Norvegjinë 2-2 dhe fitoi me Letoninë 3-3. Në grupin “C” Gjermania me 20 pikë, pa shumë vështirësi, la pas Turqinë me 17, Finlandën 10, Irlandën e Veriut 5 dhe Moldavinë me 4 pikë. Epërsia e francezëve në grupin “D” qe vetëm dy pikë, (21 ndaj 19 kundrejt ukrainasve), që u renditën të dytët, po me aq pikë sa Rusia, por me golaverazh më të mirë se ajo. Pastaj vinin Islanda me 15, Armenia me 8 dhe Andorra me 0 pikë. Suedia me 22 pikë zuri vendin e parë në grupin “E”, ku Anglia dhe Polonia mbetën shumë pas me nga 13 pikë, Bullgaria me 8 dhe Luksemburgu me 0 pikë. Në grupin “F” Rumania arrtit e para me 23 pikë një më shumë se Portugalia . Pas tyre u renditen Sllovakia me 17, Hungaria me 12, Azerbaixhani me 4 dhe Lihtenshtajni me 4 pikë. Jugosllavia me 17 pikë la pas në grupin “I” Irlandën me 16, Kroacinë me 15 Maqedoninë me 8 Maltën me 0 pikë. Grupi “H” u dominua nga Çekia me 30 pikë e pas saj u rendit Skocia me 18, Bosnja Hercegovina, Lituania dhe Estonia me 11 dhe Ishujt Faroe me 3 pikë. Mbeteshin për t’u përcilësuar në finale edhe 4 skuadra që dolën nga takimet Angli –Skoci; Slloveni-Ukrainë; Izrael- Danimarkë dhe Irlandë –Turqi, të cilat kishin rezultate më të dobëta nga skuadrat e renditura të dytat në grupe. Prej tyre fituese dolën Anglia, Sllovenia, Danimarka dhe Turqia. Kështu më 10 qershor të vitit 2000 të 16 skuadrat finaliste të këtij evropiani nisën betejat për të përcaktuar kampionen e re të Evropës. Ndeshjet u zhvilluan në stadiumet e Roterdamit (me nxënësi 49. 000), të Amsterdamit, ( 52. 000), Brukselit (50.000), Bruzhit, (29. 000), Eidhovenit, (33.000), Arkhemit, (30.000), Liezhit, (30. 000), dhe Sharleruasë, (30. 000).  Në grupin e parë e para u rendit Italia me tri fitore: me Belgjikën 2-0, e cila e kishte mënjanuar në Euro ‘72, finalet e të cilit ishin zhvilluar pikërisht në Belgjikë, Turqinë dhe Suedinë 2-1 la pas Turqinë me 4 pikë, Belgjikën me 3, dhe Suedinë me 1 pikë. Axurrët me lojë sulmuese dëshmuan kështu se kishin ardhur në këtë europian me ambicie shumë të mëdha.  Grupi i dytë solli sensacionin më të madh: Gjermania, kampione e vitit 1972 dhe 1980, jo vetëm u mënjanua, por mbeti e fundit me 1 pikë. Vendin e parë e zuri Portugalia me 9 pikë, (me Anglinë 3-2, Rumaninë 1-0 dhe Gjermaninë 3-0), e pasuar nga Rumania me 4 dhe Anglia, një tjetër zhgënjyese, me 3 pikë. Të vetmen pikë gjermanët e fituan me Rumaninë (1-1). Spanja, ndonëse humbi takimin e parë me Norvegjinë 1-0, duke fituar me Slloveninë 2-1 dhe pas një betejë të ashpër edhe me një tjetër skuadër sllave, Jugosllavinë 4-3, u rendit e para në grupin e tretë me 6 pikë, e pasuar nga Jugosllavia dhe Norvegjia me 4dhe Sllovenia me 2 pikë. Jugosllavët u përcilësuan vetëm me golaverazh më të mirë se norvegjezët. Me tri fitore kumbuese në grupin e katërt: me Çekinë 1-0, Danimarkën 3-0 dhe Francën 3-2, holandezët zunë vendin e parë. Por kjo humbje me portokallinjtë nuk pengoi francezët të zinin vendin e dytë me 6 pikë dhe së bashku me ta të kalonin në çerekfinale. Marshimin e tyre triumfal portokallinjtë e vazhduan edhe në çerekfinale, ku me rezultatin tenistik 6-1 shpartalluan Jugosllavinë dhe koleksionuan kështu fitoren e katërt. Në këtë takim Kliverti depozitoi tre gola në portën kundërshtare: dy arkivoi Overmarsi dhe një Govedavira. Golin e nderit për sllavët e shënoi Millosheviçi, (por që nuk kishte të bënte me kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviç), në minutën e fundit. Me dy gola të Gomesit edhe Portugalia i dha fund shpresës së turqve për të kaluar në gjysmëfinale. Edhe për Portugalinë kjo ishte fitorja e katërt radhazi. Që në pjesën e parë me dy gola të Totit në 33’ dhe Inzagit, Italia “shleu” fët e fët hesapet me rumunët dhe në pjesën e dytë u mbylli çdo shteg atyre për të shënuar.

Franca kaloi nëpër një rrugë ferri tek arriti të mposhte “armatën” spanjolle 2-1. Golat u shënuan brenda 13 minutave të fundit të pjesë së parë. Në 32’ Zidani për francezët, në 38’ me 11-metërsh Mendeita për spanjollët dhe 44’ Xhorkaefi që nënshkroi fitoren e francezëve. Pasi kishin “hequr qafe’” spanjollët , francezët i vunë vetes si qëllim që të njëjtin skenar të vinin në jetë më fqinjën tjetër të gadishullit Iberik, me Portugalinë. Ia arritën, veçse me gola të shënuar disi ndryshe: ishin të parët portugezët që “dhunuan” rrjetën e portës së portierit francez Bartez në 19’. Francezët mundën të barazonin vetëm 51’, me një gol të bukur të Anrisë, i cili u bë i famshëm kur në ndeshjen e dytë përcilësuese me Irlandën, për mënjanëse Afrikë 2010, shënoi golin e fitores me…dorë , duke u bërë legjendar, por në kuptimin përçmues. Koha e rregullt mbaroi me këtë rezultat. Udesh zgjuarsia e Zidanit që tre minuta para mbarimit të kohës shtesë, pra në 117’ të shënonte golin e fitores. Por nuk ndodhi kështu në takimin Itali- Holandë. I bardhë si një fushë e mbuluar me dëborë, takimi mbeti i tillë edhe pas 120 minutash. Të dyja skuadrat dëshmuan se nuk kanë snajperë të mirë nga pika e penalltisë. Për axurrët shënuan Di Biaxho, Pesoto, Toti. Maldini gjuajti jashtë, kurse për portokallinjtë De Boeri, Slami dhe Bosveti gabuan. Shënoi vetëm Kliverti. Italia kaloi kështu 3-1 në gjysmëfinale.

Gjatë kësaj periudhe, kur siç përmenda në fillim të këtij shkrimi, njihesha me rezultatet e Euro 2000 vetëm nga njoftimet e thata të shtypit amerikan dhe sillja ndërmend dy kolegët e mi të mikrofonit “kryekomentatorin” dhe… “nënkryekomentatorin”, sidomos këtë të fundit, që gjithmonë kishte pohuar me çiltërsi se nuk ishte i zoti “t’ua thoshte” komenteve, (dhe kishte pohuar një të vërtetë). Mirëpo çuditërisht ishte bërë tak-fak i zoti i fjalës në mikrofon. Por tani kishin rënë rehat. Unë nuk isha më pranë tyre, isha në Amerikë. Arritëm kështu në aktin e fundit të aventurës së këtij botërori që vuri para 50.000 shikuesve në stadiumin “Fejenord” të Roterdamit italianët kundër francezëve. Dy vjet të shkuara në Botërorin Francë ‘98 të, zotët e shtëpisë kishin mundur axurrët 4-3 me 11-metërsha, pasi Kostakurta dhe Vieri kishin gabuar. Revansh?  …Në këtë finale Italia kurrë nuk kishte qenë kaq afër ëndrrës që ashtu si 32 vjet më parë, në Euro ’68, pas dy takimeve me Jugosllavinë (1-1, me gjithë shtesë dhe, meqë rregulli i 11-metërshave nuk kishte hyrë në fuqi, 2-0 në takimin e dytë), të vinte në kokë kurorën e mbretëreshës së kontinentit tonë. Dhe po ia arrinte qëllimit. Në 55’ kishte shënuar për ta Del Vekio. Madje, Del Piero, Toti, Ambrozini dhe përsëri del Vekio, kishin pasur raste për të shënuar golin e dytë. Koha e rregullt po përfundonte. Italia ishte kështu kampione. Por gjyqtari suedez Frisk akordon 4 minuta shtesë. Shumë për italianët, por jo për francezët. Dhe ja, pikërisht në akordet e fundit të kësaj shtese, francezi Viltor barazon. Fillon drama e “golden golit”, pra ajo skuadër që shënon, fiton. Dhe në 103’ është Trezegeja që i sjell Francës fitoren. Ajo për të dytën herë pas Euro ‘84-së është Kampione e Europës, kur dy vjet më parë kishte fituar edhe Kupën e Botës, bash në Paris, duke shpartalluar Brazilin 3-0. Këtë radhë edhe me pak fat. Por fituesi nuk gjykohet.

Kampionët kishin këtë përbërje: Bartez, Turam, Blank, Dezai, Lizarazu, (Zhires në 55’), Zhorkaef, (Trezege në 75’), Viera, Deshans, Zidan (Dygari në 57’); trajner Lemere’.

Golashënues:Kluivert (Holl.) Milloshevic (Jug.) nga 5 gola. Skuadra simbolike Euro 2000: Toldo, (Itali), Turam, (Francë), Blan, (Francë), Kanavaro, (Itali), Maldini, (Itali), Figo, (Por-togali), Viera, (Francë), Davids, (Holandë) Zidan, (Francë), Toti, (Itali), Kluivert, (Holandë).

(Vijon në numrat e ardhshëm)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?