Historia e europianëve të futbollit/1980, Gjermano-Perëndimorët për të dytën herë kampionë

DOSSIER/Nga historia e europianëve të futbollit

Nga Skifter Këlliçi

(Vijon nga numrat e ardhshëm)

Swiss Digital Desktop Reklama

Siç e kam theksuar në shkrimin e fundit të ciklit “Nga historia e evropianëve të futbollit”, në finalen RF Gjermani-Çekosllovaki të Euro ‘76-ës çekosllovakëve ua kishte “dhuruar” kupën mesfushori i talentuar Hënes, cili e kishte degdisur topin tutje portës së portierit çek Viktor, pa qenë nevoja që ky të bënte qoftë më të voglën lëvizje për ta pritur atë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ruhen edhe sot në internet pamjet filmike të Hënesit kokulur, gati duke shpërthyer në lot dhe të shokëve të tij, të cilët në vend që ta qortonin, i vinin butësisht duart në shpatulla, si t’i thoshin: “S’ka gjë, pas katër vjetësh do të jemi kampionë të Europës”.

Dhe kështu ndodhi. Të munguar në finalet e Euro ‘68 pas barazimit kishin fatal 0-0 me përfaqësuesen tonë,ata që edhe në Botërorin ‘78 në Argjentinë, ishin mënjanuar pas një humbjeje të hidhur nga Austria 2-3 dhe kur, pas …47 vjetësh,ata ,pra, gjermano-perëndimorët bëheshin për herë të dytë kampionë të Europës pas Euro ‘72-shit në Belgjikë.

Është me të vërtetë e çuditshme sesi UEFA vendosi që fazën përmbyllëse të Euro 80-ës t’ia besonte pas 12 vjetësh përsëri Italisë, kur kishte edhe pretendues të fortë që nuk e kishin pasur këtë mundësi si RF Gjermane, Anglia, Holanda, Zvicra.

 Në prag të kësaj veprimtarie në Itali plasi një skandal i madh në të cilin u përfshi futbollisti në zë, Paolo Rosi, tek i cili italianët kishin besim të madh, ashtu siç kishin pasur dikur brazilianët për Pelen dhe gjermanët për G.Mylerin. Skandali kishte të bënte me trukimin e ndeshjeve të kampionatit italian ndaj dhe Federata Italiane e futbollit iu përvesh masave shumë të rënda. I pari që u godit ishte “Milani”, klub me nam edhe në botë që u degdis në kategorinë e dytë.

Kosa e spastrimit “korri” dhe flaku tutje edhe Paolo Rosin… Provë “krimi” u cilësua ndeshja “Peruxha”-“Avelino” , të cilin të dy klubet kishin rënë në ujdi ta mbyllnin paqësisht 2-2. Kushti ishte që Rosi t’i jepej mundësia të shënonte dy gola. Dhe kështu ngjau…Rosi shënoi, por dhe e … pësoi.

 Vite më pas ai pohonte: “Aso kohe isha futbollisti më i famshëm në Itali dhe Federata vendosi të më digjte mua duke lënë të kuptonte se do të mënonte të digjte pa mëshirë cilindo tjetër”.

Rosi u dënua që për tre vjet të mira të mos vinte këmbë në fushat e futbollit. Mirëpo dënimi iu kthye në dy vjet që kësisoj të merrte pjesë në Botërorin Spanjë ‘82, ku më 6 golat e shënuar, pas 42 vjetësh, ndër të cilët një dhe në ndeshjen finale kundër gjermano-perëndimorëve, (3-1), i dhuroi Italisë kurorën e mbretëreshës së rruzullit tokësor.

Po të kthehemi te Euro 80-shi. Është e habitshme se si gjatë zhvillimit të kësaj veprimtarie Stadiumi Olimpik Romës, me nxënësi 86.500 shikues, “Meaca” i Milanos, me 85.7000, “San Poaolo” i Napolit, me 72.000 dhe “Komunale” i Torinos, me 50.000 mijë shikues, qenë thuajse gjysmë të boshatisura, aq sa nuk kishte vend shprehja e famshme e Anton Mazrekut: “Stadiumi është i mbushur plot e për plot me spektatorë, sa nuk ke ku të hedhësh as kokrrën e mollës!”.

Të kishte ndikuar skandali që shpërtheu midis tifozëve anglezë dhe atyre belgë pas takimit midis përfaqësuesve të tyre që u mbyll 1-1, të zhvilluar që ditën e parë në “San Paolo” të Napolit? Apo variantet mbrojtëse që u panë thuajse në çdo ndeshje?

Nuk besohet, po të kemi parasysh se spordashësit italianë ishin mësuar prej dekadash me të ashtuquajturën “katenacio”, që kishte për bazë moton: “Mbrohu sa më shumë dhe pastaj kundërsulmo”, me të cilën e “skuadra axurra” ishte bërë dy herë kampione të botës më 1934 dhe ‘38.

 Por të kthehemi tek ndeshjet Euro ‘80-ës. Këtë radhë skuadrat pjesëmarrëse u ndanë në katër në grupe. Në fazën e dytë që u zhvillua pra në Itali, fitueset e çdo grupi, pra tetë u ndanë në grupe të tjera që i zhvilluan ndeshjet më sistem rrethi. Pastaj fitueset e këtyre grupeve u ndeshën me sistem mënjanimi për të nxjerrë skuadrën kampione.

Në grupin e parë Anglia pa më të voglën vështirësi me 15 pikë la pas Irlandën e Veriut me 9 Bullgarinë dhe Danimarkën me 5 pikë.

E ashpër qe lufta në grupin e dytë, ku Belgjika zuri vendin e parë me 12 pikë, e ndjekur nga Austria me 11, Portugalia me 9 dhe Skocia me 7 pikë. Takimet midis tyre belgët dhe austriakët i mbyllën ne bararazim 1-1 dhe 0-0,por barazimi me Skocinë në Gllazkou, i la austriakët në vendin e dytë.

Spanja luftoi dhemb për dhëmb me Jugosllavinë në grupin e tretë, ku veç tyre bënin pjesë edhe Rumania me Qipron. Çuditërisht në Beograd fituan spanjollët 2-1, kurse në Madrid jugosllavët 1-0!?… Në këtë rast u përmbys ligji i pashkruar se “muret e shtëpisë të ndihmojnë”. Fitorja e rumunëve në Bukuresht 3-2 nxori në vend të parë spanjollët.

Shumë i baraspeshuar ishte grupi 4-t:Holanda u rendit e para me 13 pikë, e ndjekur nga Polonia me 12, Gjermania Lindore me 11, Zvicra me 4 dhe Islanda me 0 pikë.

E njëjta dukuri u vërejt edhe në grupin e pestë,ku Çekosllovakia me 10 pikë la pas Francën me 9, Suedinë me 4 dhe Luksemburgun me 1 pikë.

Grupi i gjashtë solli të papriturën më të madhe: Bashkimi Sovjetik, me emër të madh në europianët e futbollit, (një herë kampion, dy herë nënkampion një herë fituesi vendit të tretë dhe një herë fitues i vendit të 4-t në botërorin Angli ‘66, siç e kam vënë në dukje në shkrimin e kaluar), përsëri mbeti jashtë dyerve të finaleve të Euro ‘80-ës, madje përfundoi edhe fundit dhe Greqia që zuri vendin e parë me 7 pikë, e ndjekur nga Hungaria me 6, Finlanda me 6, solli sensacionin më të madh në këtë europian.

Në grupin e shtatë dhe të fundit dominuan gjermano-perëndimorët, që e me 10 pikë lanë pas Turqinë me 7 pikë, Uellsin me 7 dhe Maltën me 1 pikë.

Italia “si padronesh”u kualifikua drejtpërdrejt në fazën finale,që u zhvillua nga 11-22 qershor në stadiumet italiane që përmendëm më sipër.

Në grupin e parë bënin pjesë Çekosllovakia, RF Gjermane, Holanda dhe “hirushja” e këtij europiani,Greqia.

Si të kërkonin “të hakmerreshin” për humbjen me Çekosllovakinë në Euro ‘76 pas lotarisë së 11-metërshave, gjermano-perëndimorët iu vërsulën pa reshtur portës ceke, por arrinte shënonin vetëm në minutën e 57-të, me anë të Rumeniges. Sidoqoftë, mjaftoi ky gol që ata të fitonin. Holanda mundi Greqinë pas golit të Kistit në 65’,edhe ai më 11-metërsh. Takimi RF Gjermane-Holandë, pritej të ishte shumë dramatik. Por “shturm und drangu” gjerman që vërshoi me furi,i shtrëngoi “holandezët fluturues” të mbeteshin… në tokë”, sepse në 20’, 60’ dhe 65’ Alofsi,që u bë heroi këtij europiani, zbrazi tri të shtëna të sakta në portën kundërshtare. Dhe vetëm atëherë kur stuhia gjermane u platit, portokallinjtë “nderën flatrat” dhe së pari Repi me 11-metërsh në 79’ dhe pastaj Van de Kerkof në 85’, ngushtuan rezultatin në 3-2.

Nga ana tjetër, çekët, kampionët në fuqi, që po linin fronin, mposhtën Greqinë 3-1 dhe barazuan me Holandën 1-1. Zunë kështu vendin e dytë me tre pikë, aq sa Holanda, por me golavarazh më të mirë.

Sidoqë u rrekën, gjermanët vetëm sa barazuan 0-0 me grekët, që hynë në fushë që të mos ktheheshin duarbosh në shtëpi. Por ky rezultat nuk i shqetësoi kundërshtarët që zunë kështu vendin e parë në grup me 5 pikë.

E kam parë këtë ndeshje në Libohovë, ku çuditërisht pamjet e TVSH-së nuk arrinin të qarta dhe tifozët e qytetit, ku kishte lindur atdhetari i shquar Avni Rustemi, po e ndiqnin ndeshjen nga një stacion televiziv grek, valët e të cilit përthyheshin në malin e Buretos dhe vinin bukur mirë në çdo shtëpi libohovite.

(Meqë përmenda Avni Rustemin, kisha shkuar në Libohovë i ftuar nga Shtëpia e Kulturës së këtij qyteti, me rastin e rastin e 60-vjetorit të atentatit të tij të rrallë kundër tradhtarit me damkë, Esat pashë Toptanit, të cilin me dy plumba e kishte shtrirë të vdekur për tokë, akt heroik, të cilit i kisha kushtuar romanin “Atentat në Paris”).

Barazimi 0-0 i grekëve më kujtoi barazimin historik me po këtë rezultat të përfaqësues sonë në Tiranë më 17 dhjetor të vitit 1967, për të cilin kam shkruar më parë, me të vetmin ndryshim se tanët i kishin mënjanuar gjermano-perëndimorët, kurse me këtë barazim ata prapëseprapë mbeteshin në vendin e parë.

Sidoqoftë, gëzimi i komentatorit grek, Janis Dhjakojanis, që komentonte këtë ndeshje, ishte i papërshkruar. Dhe siç më tha një djalosh libohovit, që kuptonte mirë greqisht, Dhjakojanisi ishte gojëtar kaq i saktë, sa rrallë përsëriste dy herë në mikrofon një epitet, dukuri nga e cila vuanin dhe vuajnë edhe sot komentatorët tanë sportivë.

Në grupin e dytë ku bënin pjesë Belgjika, Anglia, Spanja dhe Italia, shpërtheu një luftë kaq e ndezur, sa gjithçka u zgjidh në ndeshjet e fundit. Vendin e parë pa pritur e zunë belgët, të cilët nuk “i kishte vënë njeri për hesap”.Ata barazuan së pari me Anglinë 0-0, me një gol të Koolsit në 65’, mposhtën Spanjën 2-1, zbrapsën “yryshin” e italianëve dhe e mbyllën takimin me ta të bardhë, 0-0.

Axurrët nuk mundën veçse të barazonin po 0-0 me Spanjën, fituan me Anglinë 1-0, më gol të Tardelit në 77’,dhe arritën të grumbullonin edhe ata 4 pikë sa Belgjika ,por duke pasur golaverazh më të dobët, (1-0-kundrejt 3-2).

Zhgënjimi i tifozëve italianë qe kaq i madh, sa takimin për vendin e tretë me Çekosllovakinë të zhvilluar në “San Paolo” të Napolit, pjesa më e madhe parapëlqyen ta ndiqte nga ekranet e RAI-t.

12 vjet të shkuara në gjysmëfinalet me sovjetikët,(0-0), kapiten Faketi u kishte dhënë “axurrëve” fitoren… me short, vendin e të cilit në Euro ‘76-ën, siç e pamë, e kishte zënë seria e 11-metërshave… Kur edhe pas shtesë 2×15 minuta barazimi 1-1 mbeti i pandryshuar, nisi seria e tyre. Rezultati ishte 8-8,pra askush nuk kishte gabuar. Dhe ja, Kolovatit që u ngarkua të shqelmonte 11-metërshin e nëntë në portën çeke, iu drodhën këmbët dhe portieri cek Netolicka e priti topin. Por nuk ndodhi kështu me sulmuesin çek Barnos që mposhti Xofin e famshëm. Në këtë mënyrë Italia u mënjanua 9-8 me 11-metërsha. (Por dy vjet më pas thuajse kjo skuadër e përbërë nga Xofi, Xhentile, Tardeli, Kabrini, Beneti, Kolovati, Shirea, Kauzio, Oriali, Graciani…pas 44 vjetësh do të shpallej Kampione e Botës).

Finalja RF Gjermane-Belgjikë, zhvilluar në Stadiumin Olimpik të Romës, (më së fundi i mbushur nga tifozët italianë) dhe drejtuar nga rumuni Rainea, dëshmoi se belgët që përfaqësonin Vendet e Ulëta në vend të Holandës tradicionale, me strategë të tillë si Vam Mor dhe Kulemans, jo më kot kishin arritur në këtë cak. Golit të gjigantit Hrubesh më 10’ iu përgjigj Vandereike në 72 ‘me 11-metërsh.

Pritej që fati i skuadrës kampione të zgjidhej në shtesen 2×15 minuta dhe kushedi edhe me 11-metërsha. Por dy minuta para mbarimit, këtyre hamendësimeve u dha fund Hrubeshi që me një goditje të saktë, këtë radhë me kokë, u dhuroi gjermanëve fitoren e shumëpritur.

Kampionët u paraqiten me këtëpërbërje: Shumaker, Kalc, K.H.Foster, Stilike, Ditc, Brigel, (55’Kulman), Shuster, Hansi Myler, Rumenige, Hrubesh, Alofs. Trajner,Derval.

Golshënuesi më mirë ishte Alofs me 3 gola.

Skuadra simbolike Euro ‘80:

Xof, (Itali), Xhentile, (Itali), Shirea,( Itali), Fëster (RF Gjermane), Brigel, (RF Gjermane), Tardeli, (Itali), Kulemans, (Belgjikë), Shuster, (RF Gjermane), Myler, (RF Gjermane), Rumenige, (RF Gjermane) Hrubesh, (RF Gjermane)

(Vijon në numrat e ardhshëm)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?