
Klubi turk Turgutluspor ka bërë një lëvizje historike duke emëruar 22-vjeçaren Zeynep Mestan në postin e trajneres së ekipit të meshkujve. Mestan është bërë kështu gruaja e parë që merr drejtimin e skuadrës së meshkujve të Turgutluspor, në një vendim që ka tërhequr vëmendje të madhe në futbollin turk.
Emërimi i saj u zyrtarizua nga klubi përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku drejtuesit deklaruan se kanë arritur marrëveshje me Mestan për të drejtuar ekipin dhe punën teknike, në përputhje me objektivat e sezonit të ri.
“Klubi ynë ka arritur një marrëveshje me Zeynep Mestan për rolin e trajneres, në përputhje me strukturën dhe objektivat e sezonit të ri”, thuhej në njoftimin e Turgutluspor.
Klubi i uroi gjithashtu suksese trajneres së re, duke shprehur shpresën se kjo periudhë do të sjellë rezultate pozitive për ekipin dhe tifozët. Zeynep Mestan nuk është një emër i panjohur në futbollin turk. Ajo ka qenë më parë futbolliste dhe ka luajtur për disa klube të femrave në zonat e Izmirit dhe Manisës.
Karrierën si lojtare e nisi në vitin 2019 me Karsiyaka BES Spor, ndërsa sezonin e fundit e zhvilloi te Bornova Genc Yildizlar Spor, në vitin 2025. Tani, vetëm pak javë pasi festoi ditëlindjen e 22-të, Mestan ka bërë kalimin nga fusha në pankinë, duke marrë përsipër drejtimin e një ekipi të meshkujve.
Përveç karrierës sportive, ajo ka krijuar edhe një audiencë të konsiderueshme në rrjetet sociale, ku ndiqet nga më shumë se 21 mijë persona në Instagram.



