Hoxha: Nuk kam rinovuar ende me Partizanin, më kanë kontaktuar shumë klube
Kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha ishte në një lidhje direkte për Supersport, foli për fitoren me Laçin, problematikat në klubin e kuq dhe mbi të gjitha çështjen e kontratës së tij me kryeqytetasit.
“Në futboll duhet të kesh 1-2 ndeshje të lehta që të rregullosh anën psikologjike. U rritëm moralisht, ndaj erdhi ndeshja sot që ishte e rëndësishme për ne dhe e fituam. Gjatë gjithë kampionatit kemi pasur problemin që e lëshojmë ndeshjen. Shthuremi gjatë lojës dhe e humbim kontrollin. Kemi pësuar gola që nuk duhet t’i pësonim, ndaj duhet ta punojmë këtë pjesë që mos na ndodhë në ndeshjet në vazhdim.
Në 7 vjet që unë kam këtu, kemi pasur një mënyrë loje, mbronim mirë dhe kemi pasur kundërsulmin shumë të rrezikshme. Këtë duhet të aplikojmë. Ekipet kanë vështirësi të shënojnë, e rëndësishme është të mos pësosh. Minutat e para e filluam në sulm, duke parë edhe vapën, filluam po mbroheshim mbrapa dhe të shfrytëzonim kundërsulmet.
Rinovimi me Partizanin? Unë jam akoma nën kontratë deri në fund të kampionatit. Akoma nuk kam rinovuar, por jemi në bisedime. Jam kontaktuar nga shumë klube, por nuk do të them asnjë emër tani, pasi nuk është koha e duhur.
Nuk është Partizani që ka qenë vitin e kaluar. Shpenzimet janë bërë dhe u morën lojtarë që në fillim u mendua që do të ishin shpëtimtarë. U morën Broën, Boldor, Solomon, etj., pasi klubi shpenzoi, megjithatë nuk doli ashtu siç pritej.
Futbolli prandaj është i paparashikueshëm, sepse vjet e nisëm shumë modestisht dhe nuk fliste njeri për titull kampion, por fati na mori ndryshe. Kurse këtë vit na mori ndryshe. Në 7 vjet, hiq vitin me Iulianon, ky është viti i dytë më i dobët për Partizanin. Mund të fus shumë faktorë, por të bëjmë analizë, por shpresoj që të kapim kupat e Europës dhe diçka të ndryshojë’, u shpreh Hoxha.