Hoxha: Partizani ekip i fortë, nuk më hiqet nga mendja rasti kundër Kukësit

Teuta ka në program një ndeshje të vështirë në transfertë kundër Partizanit. Durrsakët gjithsesi do të tentojnë tre pikët, sikurse edhe u shpreh mbrojtësi Rustem Hoxha në konferencën e sotme për shtyp. “Është një ndeshje shumë e vështirë, Partizani kërkon pikët, sikurse edhe ne. Mendoj se do te jete nje ndeshje e luftuar dhe do bëjmë maksimumin që të dalim me pikë.

A na kënaq barazimi? Jo, ndeshja i ka të tria rezultatet dhe ne kemi nevojë shumë për pikët. Do shkojmë në Tiranë të luajmë për tre pikë”, shprehet mbrojtësi, të cilin e pyesin më pas edhe për takimin me Kukësin dhe i kujtojnë një rast që ai e pati në fund dhe që do t’i kishte dhënë fitoren Teutës.

“Pishman i vetëm është që nuk morëm tre pikët me Kukësin, pasi i meritonim. Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe e dominuam”. Rasti i minutës së 94-t? Kam ditë që e mendoj atë”, shtoi Hoxha, i cili tregon se Teuta gëzon një gjendje të mirë.

“Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Harmonia dhe çdo gjë është në rregull, tani shpresojmë që t’ia dalim me sukses në ndeshjen me Partizanin”, tha mbrojtësi. Më tej ai vlerëson kundërshtarin.  “Ekipi i Partizani komplet është ekip i fortë. Janë një ekip i mirë dhe në ndeshjen me Tiranën zhvilluan një lojë shumë të mirë, pavarësisht se si e humbën”.

Durrsakët në dy takimet e fundit kanë marrë vetëm një pikë. A është momenti i duhur për t’u fituar pyetet Hoxha, i cili deklaron: “Momenti i duhur është gjithmonë, ne shpresojmë të kthehemi te fitorja. Partizani do hyjë në fushë për tre pikë, edhe ne për të njëjtën gjë. Kush të jetë më i zoti, kush do gabojë më pak, kush do luftojë më shumë, do i marrë ato tre pikë”. /abcnews.al

SHKARKO APP