Hoxha tradhton Partizanin në Vlorë, Tirana sherr dhe barazim ndaj Kukësit (VIDEO)
Flamurtari përsërit ndeshjen e kampionatit ndaj Partizanit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro ka fituar minimalisht 1-0 ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë. Ndeshjen e ka vendosur një gafë e portierit Hoxha, nga e cila ka përfituar në mënyrën më të mirë Danilo Alvesh.
Partizani kalon në avantazh që në minutën e katërt, por goli i anulohet për një faull ndaj portierit Nurkoviç. Portieri i Flamurtarit shfaq disa momente pasigurie, por crogni në minutën e 21-të nuk arriti që të shënonte. Fraksioni i parë u mbyll pa gola, ndërkohë që në të dytën vendasi janë më këmbëngulës. Në minutën e 57-të Batha i afrohet pranë golit, teksa me një goditje me kokë gjen vetëm shtyllën. Alvesh përgjigjet menjëherë në të majtë, por gjuajtja e tij ndalet lehtësisht nga Hoxha. Në minutën e 72, portieri i Partizanit bën një gafë të rëndë, duke i dhuruar topin Alvesh, i cili me një veprim të bukur e dërgon topin në rrjetë.
Tirana dhe Kukësi dhurojnë një ndeshje fantastike , të mbushur me emocione, teksa rezultati përfundimtar është 1-1. Në minutën e 18-të Kukësi është me fat. Pas një kundër zbritje të shpejtë, topi shkon te Maveje i cili gjuan nga distanca dhe vetëm traversa i mohon gëzimin e golit. Në minutën e 24-t ka kaos në fushën e lojës, teksa Tirana mbetet me një futbollist më pak pas dalljes me të kuq të Turtullit, i cili ndali në mënyrë të parregullt Gurin në hyrje të zonës. Arbitri Klajdi Hoxha është i vendosur pavarësisht shtyrjeve që pëson nga disa futbollistë të bardhebluve.
Në minutën e 40-të, vendasit kalojnë në avantazh pas një aksioni të shpejtë nga e djathta i Kërçikut, i cili nis një harkim në shtyllën e dytë për Sentamu. Ky i fundit me kokë shënon golin e avantazhit për ekipin bardheblu. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërkohë që nervozizmi nuk ka munguar as në fraksionin e dytë. 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Kale bën një veprim të bukur në krahun e majtë duke nxjerrë të vetëm me portierin Gurin, i cili nuk gabon nga një zonë shumë e afërt. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

