Humbja e Tiranës në derbi, Magani jep dorëheqjen, sot vendos Rafik Halili
Tirana nuk mund ta kapërdijë lehtë humbjen në derbi ndaj Partizanit, ndonëse vazhdon të jetë ende në garë për të fituar titullin kampion. Një ditë pas humbjes 2-1, në “Qemal Stafa”, pritet të analizohet e ardhmja dhe të vendoset fati i trajnerit Gugash Magani. Gati i përlotur dhe i prekur emocionalisht pas humbjes, Gugash Magani deklaroi se do t’i vërë në dispozicion dorëheqjen e tij presidentit Refik Halili. – “Do të flas me presidentin dhe do të rishikoj pozicionin tim. Nuk mund ta jap dorëheqjen pa folur më parë me presidentin për vetë raportin që kemi ndërtuar. Normalisht ndeshjen e humbëm nga portieri, por në fund edhe unë kam përgjegjësinë time. Mendoj se përgjegjësia më e madhe është e imja,” – theksoi trajneri Gugash Magni. Trajneri peqinas, një vit pasi mori drejtimin e Tiranës, beson se vendimin e tij nuk e ka marrë nga nxitimi dhe pranon është kthyer edhe në një tifoz të bardhebluve dhe e ndien se çfarë do të thotë për tifozët humbja në derbi. – “Jam shumë i qetë dhe këtë vendim nuk e them në mërzitje e sipër. Nuk kam asnjë lloj kontestimi dhe skuadra më ndjek, por nuk e përballoj dot këtë. Nuk flas për presionin, por për humbjen e derbit. Tifozët e Tiranës duan derbin dhe nuk dua t’i bëhem barrë askujt. Mendoj që ky është vendimi i duhur.” Për trajnerin Gugash Magani duhet të ishte dita e festës së 50 vjetorit të lindjes, por humbja në ndeshjen derbi ndryshoi gjithçka sa iu përket festimeve. Tani fjala e fundit i përket presidentit Refik Halili.
KOHA JONË SONDAZH

