Hysa: Respekt për Kabayel, por do të vi me flamurin më të bukur në botë dhe t’ju tregoj se jemi më të mirët!

Nelson Hysa ka folur me shumë besim gjatë konferencës për shtyp para duelit të 28 nëntorit ndaj Agit Kabayel, duke theksuar se synimi i tij është i qartë: të fitojë titullin botëror dhe ta përfaqësojë Shqipërinë në skenën më të madhe të boksit.

Boksieri shqiptar e nisi fjalën e tij duke falënderuar Zotin, promotorin Frank Warren, ekipin e tij dhe palën kundërshtare për pranimin e sfidës.

“Kam pasur një karrierë të gjatë në boksin olimpik dhe më pas kalova në boksin profesionist. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe që përfaqësoj vendin tim dhe të gjithë shqiptarët në një ndeshje për titullin botëror, me flamurin shqiptar”, u shpreh Hysa.

Swiss Digital Desktop Reklama

Hysa nuk e fshehu ambicien për të synuar majat e kategorisë së rëndë. Ai kujtoi rekordin e tij të pamposhtur dhe theksoi se, pas 25 fitoreve pa asnjë humbje, ka ardhur momenti për të sfiduar një kampion të nivelit të lartë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Pse jo kampion? Unë jam në kategorinë e rëndë, në nivelin më të lartë. Kam 25 fitore dhe asnjë humbje. Ndeshjet e mia po më çonin drejt këtij momenti dhe tani dua të sfidoj kampionin”, deklaroi Hysa.

Pavarësisht vetëbesimit, boksieri shqiptar shfaqi respekt për Kabayel, duke e cilësuar një kundërshtar të fortë dhe një boksier të mirë.

“E respektoj atë dhe gjithçka që ka bërë gjatë karrierës së tij. Ka pasur mundësinë të përballet me boksierë të mirë dhe ka fituar. Edhe unë kam pasur mundësinë të luftoj në nivele të larta dhe kam fituar. Pres një ndeshje të fortë”, tha Hysa.

Ai shtoi se përgatitjet e tij po shkojnë shumë mirë dhe se ekipi është i bindur për mënyrën se si do të zhvillohet sfida.

“Jam i kënaqur me kampin tim stërvitor. Ekipi im është i lumtur me punën që po bëjmë dhe e dimë se ku po shkojmë dhe si do ta fitojmë këtë ndeshje”, u shpreh  Hysa.

Në fund, Nelson Hysa dha edhe një mesazh të fortë për tifozët shqiptarë, duke shpresuar që ata të jenë të pranishëm me flamurin kuqezi.

“Shpresoj dhe pres që tifozët e mi të jenë aty me flamurin më të bukur në botë, për t’u treguar të gjithëve se shqiptarët janë më të mirët”, deklaroi ai.

I pyetur se çfarë e bën të besojë se mund të përballojë Kabayel dhe ta mposhtë atë, Hysa ishte i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë: “Shikoni rekordin tim.”

Dhe përballë pyetjeve të tjera, ai zgjodhi të mos flasë më shumë, duke ia lënë përgjigjen ringut: “Do ta shihni në ndeshje.”

Më 28 nëntor, Hysa dhe Kabayel do të përballen në një duel të rëndësishëm, ku boksieri shqiptar synon të bëjë hapin e madh drejt titullit botëror. /Rozalb Lika – Koha Jone/

AGIT KABAYEL VS. NELSON HYSA LAUNCH PRESS CONFERENCE LIVESTREAM

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?