Hysaj bën gati rinovimin me Napolin, zbulohen detajet e kontratës së re

Elseid Hysaj do të vijojë karrierën te Napoli. Kapiteni i Shqipërisë i pyetur nga gazeta “Koha Jone” gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes ndaj Lituanisë konfirmoi dëshirën për të qëndruar, teksa këto ditë duket se po arrihet edhe një marrëveshje me drejtuesit.

Mbrojtësi kuqezi në kontratën e re do të përfitojë 2,5 milionë euro në sezon deri në vitin 2025. Sinjalet pozitive kanë ardhur pas takimit ndërmjet drejtorit sportiv të klubit, Giuntoli dhe menaxherit të lojtarit, Giuffredi.

Rinovimi me Elseid Hysajn është mbështetur nga trajneri Genaro Gattuso, i cili e vlerëson si një element mjaft të vlefshëm. Ishte pikërisht ish-mesfushori i Italisë ai që e riktheu mbrojtësin në formacion, pas periudhës së errët me Ancelotti.

Pas plotësimit të kushtit që Hysaj të vlerësohet si pjesë e rëndësishme e projektit, te Napoli vendosën t’i përmirësojnë edhe kushtet në kontratë. Edhe pse shkodrani ka qenë titullar prej vitit 2015, me 1,6 milionë euro pagë, ai ishte jashtë “top 10” lojtarëve më të paguar të klubit.

SHKARKO APP