Hysaj paralajmëron Finlandën: Kemi skuadër të fortë, nuk është koha për rikthim në Superiore!
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ka folur për mediat në prag të sfidës ndaj Finlandës në Nations League, duke komentuar situatën e ekipit kuqezi, lojtarët e rinj dhe të ardhmen e tij në futboll.
Hysaj theksoi se po mundohet të ndajë eksperiencën e tij me lojtarët e rinj të Kombëtares, por sipas tij, brezi i ri ka cilësi dhe nuk ka shumë nevojë për këshilla.
“Kam ndarë pak përvojë me lojtarët, por zakonisht gjërat kanë ndryshuar nga një gjeneratë te tjetra. Duhet t’i ndihmojmë edhe ne të rinjtë. Janë lojtarë me shumë cilësi dhe nuk kanë shumë nevojë për ndihmë”, u shpreh mbrojtësi.
Duke folur për grupin dhe kundërshtarët, Hysaj vlerësoi nivelin e Kombëtares, por nënvizoi se Shqipëria duhet të kërkojë më shumë në sfidat e saj.
“Kemi një skuadër shumë të fortë. Grupi është i fortë. Si Finlanda, ashtu edhe Bjellorusia kanë thuajse të njëjtin nivel me ne. Ne jemi një skuadër që duhet të kërkojmë më shumë. Kemi edhe trajnerin e ri, i cili po na ndihmon për të bërë një lojë më të mirë”, deklaroi ai.
Hysaj veçoi edhe disa prej talenteve të rinj që po afrohen me Kombëtaren, duke përmendur Qefalinë, Sinën dhe Hasën.
“Janë lojtarë shumë të mirë. Kemi një ekip shumë të mirë dhe Kombëtarja do të jetë shumë mirë në të ardhmen”, tha Hysaj.
Mbrojtësi foli gjithashtu për situatën e tij në merkato. Ai konfirmoi se është në bisedime me disa klube, por ende nuk ka asgjë zyrtare.
“Kombëtarja më ndihmoi, sepse ishte momenti për të treguar se jam në formë. Po bisedoj me disa skuadra, por asgjë nuk është zyrtare”, u shpreh Hysaj.
Në fund, ai komentoi edhe mundësinë e një rikthimi në Kampionatin Shqiptar, duke lënë të kuptohet se një lëvizje e tillë nuk është aktualisht në planet e tij.
“Me gjithë respektin që kam për Kampionatin Shqiptar, këtë herë e kam ndjekur vërtet. Është një kampionat i mirë, por nuk është ende momenti për mua që të rikthehem”, përfundoi Hysaj.

