Igli Tare kërkon me ngulm sulmuesin serb që po shkëlqen në Seria A
Igli Tare është në kërkim të talenteve më të mirë për t’i shitur më pas për një shifër më të lart. Së fundi në shënjestrën e Drejtorit Sportiv të klubit bardhekaltër ka përfunduar sulmuesi serb i Fiorentinës, Dusan Vlahovic, i cili ka debutuar vetëm këtë sezon në Serinë A dhe ka dhënë sinjale se e pret një e ardhme e ndritur përpara.
Sulmuesi është vetëm 20 vjeç dhe ndiqet nga klube të shumta në Itali e jashtë saj, por Lazio është nga ato skuadra që do t’i garantonte një vend titullari dhe për më tepër do t’i përgatiste rrugën e duhur për t’u rritur e për të pasur një karrierë të shkëlqyer.
Momentalisht presidenti i klubit vjollcë, Rocco Commisso ka deklaruar se nuk do të lejojë asnjë prej lojtarëve të rinj që të largohen nga skuadra, por kundrejt një oferte prej 10-15 milionë eurosh nga ana e Lazios, mund të heqë dorë nga Vlahovic.