Ikin Lukiç dhe Hoxha, merkato e Flamurtarit nisi nga stafi teknik
Flamurtari e ka nisur merkaton e dimrit me afrimin e një emri të madh. Bëhet fjalë për Petraq Bifshën, i cili është emëruar zv.trajner i kuqezinjve, në rolin e krahut të djathtë të teknikut Gentjan Mezani, i cili është konfirmuar në krye të stolit.
Plotësimi i stafit teknik me vendin e mbetur vakant tashmë i hap rrugë edhe përforcimeve në skuadër. Për tu kompletuar është mbi të gjitha reparti i mbrojtjes, pas largimeve dy të konfirmuara të Slavko Lukiç dhe Nertil Hoxhës.
Mbrojtësi serb ndërpreu bashkëpunimin disa javë më parë me klubin, pas vetëm 5 ndeshjeve të luajtura në dy fazat e para të kampionatit.
I njëjtë edhe fati i mbrojtësit të majtë, Hoxha, i transferuar në Vlorë gjatë verës nga akademia e Partizanit. 20-vjeçari koleksionoi vetëm 66 minuta lojë në tre ndeshje ku është aktivizuar nga stoli.
Mbetet çështje orësh rikthimi i mesfushorit kroat Ivan Galiç, i cili ka qenë një pjesë e rëndësishme e kontingjentit me 17 ndeshje të luajtura dhe tre gola të shënuar.
Ndërkohë, pjesë e kuqezinjve do të mbetet edhe Radovic, pavarësisht se mesfushori malazez do ti nënshtrohet operacionit në gju. E ndërsa grupi pritet të plotësohet gjatë merkatos së Janarit, Flamurtari do të vijojë përgatitjet me mini-fazën përgatitore në Antalia të Turqisë, nga data 7 deri më 17 Janar.
KOHA JONË SONDAZH

