Incidenti te ‘Selman Stermasi’ – Proçedohen penalisht 11 tifozë të Tiranës, njëri shuplakë lojtarit
Policia e Tiranës ka nisur procedim penal për 11 tifozë të Tiranës për protestën e një dite më parë në stadiumin “Selman Stermasi”, kundër stërvitjes së Partizanit në këtë stadium.
10 të parët akuzohen për manifestim të paligjshëm, ndërsa një tjetër për goditjen e njërit prej futbollistëve të Tiranës.
“U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasit: G. Ç 39 vjeç, A. R 39 vjeç, R. T 32 vjeç, D. L 32 vjeç, S. P 17 vjeç, R. R 22 vjeç, A. Ç 23 vjeç, S. K 20 vjeç, G. D 21 vjeç dhe O. G 21 vjeç, sepse rreth orës 14:00, në rrugën “Bedri Karapici”, në fushën e Stadiumit të F.K. Tirana, këta shtetas bashkë me disa tifoza të tjerë të ekipit të Tiranës, kanë manifestuar pa leje, duke bllokuar për disa minuta fushën e stërvitjes të futbollit të ekipit të Tiranës dhe për të kundërshtuar një marreveshje që është bërë midis ekipit të futbollit të klubit të Tiranës dhe ekipit të futbollit të klubit Partizani. Gjithashtu u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin A. D., 19 vjeç, banues në Tiranë, sepse dyshohet se ka goditur me pëllëmbë në fytyrë lojtarin e ekipit të Tiranës, G. L”.
Pasditen e djeshme policia shoqëroi 32 tifozë pas konfliktit me futbollistët e Tiranës.
Tifozeria mbajti të bllokuar fushën për disa minuta, duke bërë që ekipi të anulonte stërvitjen në fushën e blertë.
KOHA JONË SONDAZH

