Inter rikuperon Dumfries, në stërvitje bashkohet edhe Çalhanoğlu
Lajmi për rikthimin e Denzel Dumfries u konfirmua nga vetë trajneri Cristian Chivu pas ndeshjes ndaj Lecces. Pas tre muajsh e gjysmë mungesë, mbrojtësi holandez është bashkuar sërish me grupin dhe ka nisur përgatitjet me skuadrën, duke shënuar një lajm pozitiv për kampin zikaltër.
Megjithatë, prania e tij në ndeshjen e kthimit të “playoff”-it të Ligës së Kampioneve kundër Bodø/Glimt mbetet e pamundur. Objektivi i stafit teknik është që Dumfries të jetë gati për sfidën e kampionatit ndaj Genoas fundjavën e ardhshme. Përpara se të merret një vendim përfundimtar, do të pritet seanca e fundit stërvitore para ndeshjes me norvegjezët.
Me rikthimin e Dumfries, si dhe të Darmian, Interi lë pas periudhën e emergjencës në krahun e djathtë. Në javët e fundit, Chivu u detyrua të kërkonte sakrifica shtesë nga Luis Henrique, i cili u përshtat me disiplinë taktike, si dhe të rishikonte rolin e Diouf për të mbuluar boshllëqet.
Jo vetëm Dumfries, por edhe Hakan Çalhanoğlu është rikthyer në dispozicion. Edhe për mesfushorin turk vlen i njëjti plan: vështirë të aktivizohet ndaj Bodø/Glimt, ndërsa pritet të marrë sërish kontrollin e mesfushës kundër Genoas. Ai mund të alternohet ose të zëvendësojë Zielinskin, i cili ka nevojë për pushim pas ngarkesës së madhe të javëve të fundit.
Ndërkohë, në sfidën e së martës do të rikthehet edhe Barella, i cili mungoi ndaj Lecces për shkak skualifikimi, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa në formacion.
KOHA JONË SONDAZH

