Interi bën gati revolucionin në mesfushë gjatë verës, pritet të largohet edhe Asllani

Mesfusha e Interit pritet të përjetojë një revolucion të vërtetë gjatë merkatos së verës. Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, nuk bëhet fjalë për përmirësime të vogla, por për një tërmet të mirëfilltë në repartin qëndror të fushës. Aktualisht, vetëm tre emra duken të sigurt për sezonin e ardhshëm: Nicolò Barella, Hakan Çalhanoglu (përveç ndonjë surprize të madhe) dhe Piotr Zielinski, i cili ka nënshkruar kontratë të re zikaltrit.
Për t’u bashkuar me ta do të vijë edhe talenti kroat Petar Sucic nga Dinamo Zagreb, që shihet si një prurje shumë premtuese për të ardhmen. Në krahun tjetër, disa emra të rëndësishëm janë në pikëpyetje. Henrikh Mkhitaryan, një figurë kyçe për trajnerin Simone Inzaghi, mund të largohet nëse vendos të varë “këpucët në gozhdë” pas një karriere të gjatë e të suksesshme. Nëse Inter fiton Championsin, lamtumira e tij do të ishte edhe më e mundshme.
Davide Frattesi ka shprehur pakënaqësi për minutat e pakta që ka marrë. Në janar ishte pranë largimit me interesim nga Roma dhe Napoli, por më pas u bë hero në Europë me golat e tij vendimtarë. Megjithatë, stili i tij nuk përshtatet plotësisht me idetë taktike të Inzaghit, dhe nëse nuk i premtohet vend titullari, largimi është një opsion real.
Kristjan Asllani është gjithashtu në dilemë. Klubi kishte pritshmëri më të mëdha për zhvillimin e tij, sidomos sa i përket personalitetit në fushë. Një huazim apo një përfshirje në ndonjë marrëveshje shkëmbimi janë skenarë të mundshëm për të ardhmen e mesfushorit shqiptar.
Nëse Frattesi largohet, Sucic shihet si zëvendësuesi natyral. Por në rast se edhe Asllani dhe Mkhitaryan largohen, Inter do të detyrohet të sjellë përforcime të tjera. Për rolin e zëvendësuesit të Çalhanoglu-s, zikaltrit kanë vënë sytë nga Hans Nicolussi Caviglia i Venezias dhe Samuele Ricci i Torinos.
Alternativa të tjera janë Morten Frendrup i Genoas dhe rikthimi i mundshëm i Giovanni Fabbian nga Bologna, për të cilin Inter ka të drejtën e riblerjes për 12 milionë euro. Në fund, ëndrra e madhe quhet Nico Paz, që po shkëlqen në huazim te Como si një trekuartist i vërtetë. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

