Interi dhe Juventus në luftë për super talentin e Sassuolos

Manuel Locatelli debutoi me Italinë në “Johan Cruijff Arena” të Amsterdamit, ku të kaltrit fituan me rezultatin minimal 0-1. Futbollisti i rritur në ekipet e moshave të Milanit dhe që aktualisht është pjesë e Sassuolos, zhvilloi një ndeshje në kufijtë e perfektes, duke treguar një rritje të jashtëzakonshme si në aspektin taktik e fizik, ashtu edhe atë karakterial.

Pas sfidës së djeshme ndaj Holandës, drejtuesit e Interit dhe të Juves janë zgjuar me dëshirën për të nisur sa më shpejt punën për transferimin e Locatellit, ndërsa te Milani me siguri që kanë keqardhje që vendosën ta largojnë.

Juventus është interesuar për Locatellin në kohën që në pankinë ishte Maurizio Sarri dhe në Itali konfirmojnë se edhe Pirlo ka simpati për mesfushorin, por bardhezinjtë vendosën të afrojnë amerikanin McKennie në atë rol.

Nga ana tjetër Ausilio takoi pak ditë më parë drejtorin sportiv të Sassuolos, Carnevali, të cilit i shprehu interesin e zikaltërve për mesfushorin 22-vjeçar, por problem për Interin mbetet fakti që momentalisht ka shumë futbollistë në atë repart. Sassuolo nuk ka ndërmend që ta lërë të lirë pa 40 milionë euro.

SHKARKO APP