Interi fiton me 3 “dhurata” nga skuadra e Napolit, Lukaku shënon dopietë (VIDEO)

Interi nuk ka ndërmend që t’i ndahet Juventusit në garën për titullin kampion. Zikaltrit kanë arritur që të marrin një fitore të madhe 3-1 në super duelin ndaj Napolit.

Në “San Paolo” ndeshja nisi në malore për skuadrën e Gattusos që do të pësonte gol që në minutën e 14-t. Lukaku do të përfitonte nga një gabim i Di Lorenzos, ndërkohë që në minutën e 33-të sulmuesi belg shënoi sërish. Këtë herë ishte portieri Meret, që bën një gabim foshnjarak duke mos arritur që të kontrollojë goditjen e sulmuesit potent. Lukaku ka realizuar 14 gola këtë sezon në Seria A, duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë.

Napoli rihapi ndeshjen me Milik në minutën e 39-të, pasi u shërbye në zonë nga Callejon. Gjithsesi edhe në pjesën e dytë gabimet në mbrojtjen e Napolit nuk ndaluan. Pas një krosimi nga Vecino në zonë në minutën e 62-të, Manolas bën një gabim trashanik duke i dhuruar topin Lautaro Martinez. Sulmuesi argjentinas e kishte të thjeshtë për ta dërguar topin në rrjetë.

Interi me këtë fitore ngjitet në vendin e parë me 45 pikë, me pikë të barabarta me Juventusin. Napoli ndërkohë mban vendin e 8-të. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP