
Interi ka dalë hapur në garë për transferimin e Gustavo Varelës, sulmuesit të Monzës që po tërheq vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha italiane. Interesimi i zikaltërve është konfirmuar edhe nga presidenti Beppe Marotta, i cili ka pranuar se futbollisti është në radarët e disa skuadrave.
“Sulmuesi i Monzës pëlqehet nga shumë ekipe, jo vetëm nga Interi”, është shprehur Marotta, duke konfirmuar se gara për shërbimet e portugezit pritet të jetë e fortë.
Megjithatë, për kampionët e Italisë ekziston një pengesë e rëndësishme: koha e transferimit. Interi mund të bëjë një lëvizje konkrete për Varelën vetëm gjatë merkatos së verës, pasi fillimisht duhet të krijojë hapësirë në repartin ofensiv.
Në këtë situatë, emri i parë që përmendet është ai i Bonnyt. Ndërkohë, Lautaro Martinez, Marcus Thuram dhe Francesco Pio Esposito konsiderohen të paprekshëm nga drejtuesit zikaltër.
Ndryshe paraqitet situata për Juventusin dhe Napolin, dy rivalët kryesorë të Interit në garën për sulmuesin. Të dyja skuadrat mund të tentojnë transferimin që në merkaton e janarit, duke fituar kështu një avantazh në negociata.
Në klubin zikaltër nuk duan të humbasin kohë. Drejtori sportiv Dario Baccin, i cili e ka ndjekur disa herë nga afër Varelën në stadiumin e Monzës, pritet të punojë për të siguruar miratimin e lojtarit për një transferim të mundshëm në verë.
Megjithatë, operacioni nuk është aspak i lehtë. Monza e vlerëson kartonin e sulmuesit në jo më pak se 35 milionë euro, ndërsa një tjetër problem është edhe roli që do të kishte portugezi në Milano. Te Interi, Varela nuk do ta kishte të garantuar një vend titullari dhe do të niste aventurën si alternativë në repartin ofensiv.
