Interi gati për “revolucion” në verë, disa largime të mëdha në horizont
Eliminimi nga Champions League përballë Bodo/Glimt ka mbyllur një kapitull të rëndësishëm të sezonit për Inter, por jo ambiciet e zikaltërve. Tashmë fokusi zhvendoset te Kupa e Italisë dhe kampionati, dy objektiva që klubi synon t’i mbyllë me sukses.
Me një avantazh prej +10 pikësh ndaj Milan në Serie A, titulli duket shumë pranë, megjithatë drejtuesit po mendojnë përtej trofeut. Vera pritet të sjellë një “revolucion” të vërtetë në organikë, me presidentin Giuseppe Marotta dhe drejtorin sportiv Piero Ausilio që prej kohësh po punojnë për rifreskimin e skuadrës.
Në portë, Yann Sommer nuk pritet të rinovojë kontratën që përfundon më 30 qershor, ndërsa situata e Josep Martinez mbetet e hapur. Në mbrojtje, rinovimi i Francesco Acerbi, Matteo Darmian dhe Stefan de Vrij është në dyshim, duke hapur rrugë për një bërthamë të re me Manuel Akanji, Alessandro Bastoni dhe Yann Bisseck.
Në mesfushë, pikëpyetja më e madhe lidhet me të ardhmen e Hakan Calhanoglu, i kërkuar nga Galatasaray. Ndërkohë, Henrikh Mkhitaryan pritet të largohet pas më shumë se 170 paraqitjesh me fanellën zikaltër.
Oferta të mundshme mund të shqyrtohen edhe për Denzel Dumfries, Davide Frattesi dhe Luis Henrique. Në repartin ofensiv, sakrifica e madhe mund të jetë Marcus Thuram, i vlerësuar rreth 60 milionë euro.
Paralelisht me ndryshimet në skuadër, klubi synon të sigurojë vazhdimësinë në pankinë. Drejtuesit janë në bisedime për rinovimin e kontratës së trajnerit Cristian Chivu deri në vitin 2028, me opsion zgjatjeje edhe për një sezon tjetër.
KOHA JONË SONDAZH

