Interi harron eliminimin në Champions, fitore spektakolare me përmbysje ndaj Cagliarit (VIDEO)

Interi ringrihet menjëherë pas eliminimit nga Championsi. Skuadra zikaltër ka arritur që të marrë një fitore 3-1 me përmbysje në transfertën ndaj Cagliarit. Ekipi i Contes do të krijonte shumë shanse shënimi në 45 minutat e para, por Cragno i tha “jo” në disa raste duke shpëtuar për mrekulli portën e tij.

Edhe pse dominuan zikaltërit do të pësonin gol, teksa vendasit do të gjenin golin që me tentativën e parë të Sottil, i cili realizoi një super gol. Në fraksionin e dytë Interi tentoi me të gjitha mënyrat që të përmbyste rezultatin, teksa do ta bënte në sekondat e fundit.

Në minutën e 77-të, pas një goditje nga këndi, topi shkon në hyrje të zonës, atje ku Barella shënon një super gol me goditje fluturimthi. 7 minuta më pas D’Ambrosio sapo hyri në fushë arriti që të shënonte, duke përfituar nga një gabim i Cragno. Më pas në kohën shtesë, Lukaku përfitoi edhe nga dalja e portierit të Cagliarit për të shënuar me kundërsulm golin e tretë për zikaltërit.  /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP