Interi humbet Lukakun e pazëvendësueshëm, Conte duhet të shpikë sulmin për Realin

Problemet muskulore në aduktorët e kofshës së majtë në Ukrainë janë një lajm i keq për Romelu Lukakun, që do të humbasë super ndeshjen e Championsit ndaj Realit. Ai ka një rëndësi të madhe në skuadrën zikaltër, pasi ka qenë vendimtare këtë sezon. Mungesat ndaj parmës, por mbi të gjitha ndaj Real Madrid pritet të ndikojë jo pak tek zikaltërit. Belgu është i pazëvendësueshëm në formacionin e Contes.

Tashmë strategu italian duhet të shpikë një sulm të ri. Duke marrë në konsideratë faktin që Sanchez ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi, problemet bëhen edhe më të mëdha, teksa në dispozicion në fazën e avancuar janë vetëm Lautaro Martinez, Pinamonti dhe Perisic. Kroati sigurisht që nuk mund ta zëvendësojë në mënyrën e duhur, pasi luan në krahë, por mund të jetë një alternativë shumë e mirë. Vitin e kaluar Lukaku humbi tre ndeshje për shkak të një dëmtimi, ndërkohë që këtë sezon nuk ka munguar në asnjë ndeshje.

Për të kuptuar rëndësinë e tij mjafton të shohësh numrat. Në sezonin e parë shënoi 34 gola në total, 23 prej të cilëve në kampionat, të njëjtat shifra si Cristiano Ronaldo. Këtë sezon ka një mesatare prej një goli për ndeshje: 7 në total, 5 në Seria A dhe 2 në Champions League. Prania e tij nuk është e rëndësishme vetëm për golat, por edhe për mënyrën se si luan skuadra me të në fushë. Me potencën e tij ai është i aftë që të krijojë shumë probleme për kundërshtarët.

Fati i mirë i Interit është që belgu me shumë mundësi nuk do të mungojë në shumë ndeshje, teksa pritet që të jetë i gatshëm për sfidën e dytë kundër madrilenëve. Conte mund t’i besojë Lautaro Martinez, Pinamontit dhe Perisic, ndërkohë që mund të mendohet edhe një zgjidhje tjetër me Eriksen pas krahëve të Martinez dhe Perisic. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP