Interi kërkon të formojë një sulm të frikshëm, kërkon edhe Cavanin
Barcelona nuk do ta ketë aspak të lehtë transferimin e Lautaro Martinez, pasi Antonio Conte nuk ka ndërmend që ta lërë të lirë. Zikaltrit dëshirojnë që t’ia plotësojnë dëshirat trajnerit ndaj po këmbëngulin dhe po refuzojnë çdo ofertë të ardhur nga Spanja, që përfshin edhe futbollistë të tjerë, por mund të jenë të pafuqishëm ta mbajnë Lautaron, nëse katalanët paguajnë klauzolën dhe vetë sulmuesi preferon largimin.
Nga ana tjetër Conte po planifikon që edhe sezonin e ri t’i besojë dyshes Lautaro-Lukaku, duke i shtuar edhe Edinson Cavanin. Ky i fundit do të jetë lojtar i lirë pas muajit qershor dhe ka shumë dëshirë të rikthehet në Itali, atje ku Interi do ta mirëpriste krahëhapur, por që të nënshkruajë me zikaltrit, Cavani duhet të pranojë një pagë jo më të lartë se 8 milionë euro.
Uruguaiani e njeh mjaft mirë kampionatin italian, pasi e nisi pikërisht aty shpërthimin e tij, fillimisht me Palermon e më pas me Napolin, para se të transferohej te PSG.