Interi pa sponsor në fanellë ndaj Real Madridit, ja arsyeja
Interi do të debutojë këtë mbrëmje në Champions League ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabéu”, por skuadra zikaltër do të zbresë në fushë me një fanellë të pazakontë: pa sponsorin kryesor në pjesën e përparme.
Arsyeja lidhet me legjislacionin spanjoll, i cili ndalon promovimin e kompanive të basteve dhe lojërave të fatit në aktivitetet sportive. Për këtë shkak, në fanellën e Interit nuk do të shfaqet logoja e Betsson Sport, sponsori kryesor i klubit.
Nuk është hera e parë që Interi luan një ndeshje të Champions League pa sponsor në fanellë. Një situatë e ngjashme ishte parë edhe gjatë sezonit që kulmoi me finalen e humbur ndaj Manchester Cityt.
Në atë rast, arsyeja ishte krejt tjetër: bashkëpunimi me DigitalBits u ndërpre pas një serie pagesash të papërmbushura, duke bërë që Interi të luante disa ndeshje me fanellën plotësisht “të pastër”.
Megjithatë, në finalen e Champions League në Stamboll, Lautaro Martínez dhe shokët e tij kishin një sponsor tjetër në fanellë. Paramount+ u shfaq në uniformën e Interit si pjesë e një marrëveshjeje të kufizuar vetëm për ndeshjet e fundit të kampionatit dhe finalen e Champions League.
Kështu, përballja ndaj Real Madridit do të jetë një tjetër rast ku Interi do të zbresë në fushë pa logon e sponsorit kryesor, këtë herë për shkak të rregullave në fuqi në Spanjë.
KOHA JONË SONDAZH

