Interi pretendoi për penallti, Shoqata e Arbitrave në Itali e pranon gabimin e gjyqtarit

Barazimi 1-1 mes Interit dhe Atalantës në Serie A ka lënë pas një valë polemikash, me klubin zikaltër që ka shprehur pakënaqësi të forta ndaj vendimeve të arbitrimit.
Diskutimet janë përqendruar në disa episode të ndeshjes së drejtuar nga arbitri Gianluca Manganiello. Sa i përket golit të barazimit të shënuar nga Nikola Krstović, shumica e ekspertëve të arbitrimit kanë mbështetur vendimin e gjyqtarit, duke e konsideruar shumë të lehtë kontaktin e Ibrahim Sulemana ndaj Denzel Dumfries.
Megjithatë, polemikat janë shtuar ndjeshëm për një tjetër episod në zonë, ku u përfshinë Giorgio Scalvini dhe Davide Frattesi. Sipas raportimeve nga mediat italiane, drejtues të Federatës Italiane të Arbitrave, të pranishëm në stadium, kanë pranuar se ndërhyrja duhej të ishte ndëshkuar me penallti.
Ky interpretim ka rritur pakënaqësinë në kampin zikaltër, ku kujtohen edhe dy raste të mëparshme të ngjashme që kanë penalizuar Interin: ndërhyrja e Denzel Dumfries ndaj Alex Sandro në vitin 2021 dhe ajo e Matteo Darmian ndaj Giangiacomo Magnani në vitin 2024.
KOHA JONË SONDAZH

