Interi sfidon sot Fluminensen për Botërorin e Klubeve, Asllani projektohet sërish titullar
Sonte në orën 21:00, Interi do të zbresë në fushë për një tjetër sfidë të rëndësishme në Kupën e Botës për Klube 2025, ku përballë do të ketë skuadrën braziliane të Fluminense. Ky takim është vendimtar për kualifikimin në çerekfinale, ku në pritje ndodhet fituesja mes Manchester City dhe Al-Hilal, skuadër e drejtuar nga ish-trajneri i zikaltërve, Simone Inzaghi. Përveç prestigjit ndërkombëtar, një fitore do të sillte në arkat e Interit edhe një përfitim të rëndësishëm financiar: 12.2 milionë euro.
Trajneri Cristian Chivu do të vijojë me skemën 3-5-2 dhe bazën e formacionit nga ndeshjet e kaluara. Megjithatë, janë të parashikuara disa ndryshime të detyruara për shkak dëmtimesh. Davide Frattesi është rikthyer në Itali për t’u kuruar, duke iu bashkuar të dëmtuarve Pavard, Bisseck, Calhanoglu dhe Zielinski.
Në mbrojtje, përpara portierit Yann Sommer, do të luajnë Darmian, de Vrij dhe Bastoni. Në mesfushë konfirmohen titullarët Barella, Asllani dhe Mkhitaryan, ndërsa në krahë do të jenë Dumfries dhe Carlos Augusto, ky i fundit në vend të Dimarcos.
Në fazën sulmuese, për shkak të mungesës së Taremit dhe dëmtimit të lehtë të Francesco Pio Espositos, përkrah Lautaros pritet të luajë vëllai i tij, Sebastiano Esposito. Edhe pse Marcus Thuram është rikuperuar, ai nuk pritet të startojë nga minuta e parë, por do të aktivizohet gjatë lojës.
Formacionet e mundshme:
Inter (3-5-2): Sommer; Darmian, de Vrij, Bastoni; Dumfries, Barella, Asllani, Mkhitaryan, Carlos Augusto; S. Esposito, Lautaro.
Fluminense (4-3-3): Fabio; Xavier, Thiago Silva, Ignacio, René; Hercules, Martinelli, Nonato; Arias, Cano, Serna.
KOHA JONË SONDAZH

