Interi shijon 3 pikët në Amsterdam, momenti për t’i dhënë një kthesë sezonit edhe në Seria A

Tre pikë për ta nisur menjëherë me këmbë të mbarë rrugëtimin në Champions League, tre pikë për të larguar hijet e përmbysjes së pësuar në “Allianz Stadium” dhe të dy humbjeve radhazi në kampionat. Interi kthehet nga Amsterdami me buzëqeshje dhe siguri të reja, duke treguar sërish se në Europë di të shndritë.

Fitorja ndaj Ajaxit ishte e pastër, pa gabime. Një debutim i shkëlqyer kontinental për Cristian Chivu, që mposhti të shkuarën e tij duke rikthyer ekuilibrin në mbrojtje dhe duke gjetur një Sommer vendimtar (një dalje fantastike ndaj Godts kur rezultati ishte ende 0-0). Në të njëjtën kohë, trajneri zikaltër shijoi edhe gjendjen fantastike të Marcus Thuram.

Franci u bë heroi i mbrëmjes me dopietën e tij, por në një natë ku Chivu iu besua edhe “gardës së vjetër”, spikati edhe e ardhmja: Pio Esposito. Sulmuesi i ri u hodh titullar në kompeticionin më të madh dhe nuk u dridh asnjë moment. Ai punoi mirë në manovër, përdori trupin kur duhej dhe dialogoi me shokët e skuadrës si një veteran. Me Thuram tregoi një marrëveshje të menjëhershme, në disa momente të shkëlqyer. Jo pak për një djalë që është bashkuar me ekipin vetëm tre muaj më parë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga Amsterdami zikaltërit kthehen vetëm me nota pozitive, por tani duhet shmangur rreziku i vetëkënaqësisë. Kalendari evropian është në rënie deri në fund të nëntorit (me përballjet ndaj Slavia Pragës, Union SG dhe Kairat Almaty), ndërsa në kampionat Interi ka përpara ndeshje të favorshme për të ngjitur klasifikimin. Të dielën në “San Siro” vjen Sassuolo, më pas transferta në Cagliari dhe përpara pushimit të Kombëtareve, sfida me Cremonesen. /R.Lika-Koha Jonë/

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?