Intervista “bombë” e Ronaldos, nxjerr detaje të reja: United nuk më besoi as kur kisha vajzën të sëmurë!
Dalin detaje të reja nga intervista bombë që ka dhënë Cristiano Ronaldo për gazetarin Piers Morgan. CR7 ka shpjeguar arsyet se përse nuk ishte pjesë e turit të veror.
“Unë fola me drejtorin sportiv dhe presidentin e Manchester United kur vajza ime ishte e sëmurë, Georgina po kalon momente të vështira. Prandaj unë nuk u nisa në turne. Si baba dhe si bashkëshort nuk mund të largohesha nga familja në atë moment . Jo për fazën para-sezonale”.
Ronaldo dhe Georgina humbën një nga binjakët që priste Georgina. Bella, vajza që lindi, ishte me bronkit në korrik, gjë që e detyroi të qëndronte në spital për një javë. Kjo është, sipas CR7, arsyeja e vetme se përse ai nuk u bashkua me pjesën tjetër të ekipit. Ronaldo i tha të gjitha, duke mos kursyer as pronarët aktualë të Manchester United, familjen Glazer.
“Ata nuk kujdesen për ekipin. Të paktën jo për pjesën sportive. Manchester United është një klub që i fiton paratë e tyre përmes marketingut, por ata nuk kujdesen për pjesën sportive dhe ia japin të gjithë pushtetin presidentit dhe drejtorit sportiv. Me ta nuk kam folur kurrë, që kur jam kthyer.
Tifozët kanë gjithmonë të drejtë. Ata duhet të dinë të vërtetën, të dinë se lojtarët duan më të mirën për Manchester Unitedin, edhe unë dua më të mirën. Kjo është arsyeja që jam rikthyer. Tifozët duhet të dinë gjithashtu se ka situata brenda klubit që i pengojnë ata të arrijnë nivelin më të lartë, aty ku janë City, Liverpool dhe tani Arsenali. Është e vështirë për United të jetë në krye për 2-3 vitet e ardhshme”, deklaroi Ronaldo. /Rozalb Lika-Koha Jonë/