INTERVISTA/ Useini: S’mund të duroja më te Flamurtari, në Shqipëri më habiste fakti që …
Futbolli është padyshim sporti më u bukur në botë dhe të jetë pjesë e tij sigurisht që kërkon shumë sakrifica dhe një rrugëtim i gjatë me shumë ulje dhe ngritje. Në fund të fundit pavarësisht pasionit, është një profesion si gjithë të tjerët, ku pret që të marrësh rrogën për të përmbushur jetën e përditshme. Në Shqipëri ky është një ndër problemet më të mëdha që hasin futbollistët profesionistë. I tillë është edhe rasti i fundit i Muhamed Useinit, i cili vendosi që të mbyllte aventurën me skuadrën e Flamurtarit të martën për shkak të rrogave të prapambetura.
Futbollisti me origjinë nga Maqedonia ka zhvilluar dy sezone mjaft të mira te ekipi vlonjat, por ai zgjodhi që të largohej duke ndjekur të njëjtën rrugë me Danilo Alves, Goran Siljanovskin dhe Tomislav Busic. Në një intervistë për gazetën “Koha Jone”, 30-vjeçari e pranon se çështja e tij me Flamurtarin do të mbyllet në gjyq, ndërkohë që e ardhmja do të jetë në vendlindjen e tij, ku dy skuadra janë gati që të firmosin me të.
Përse vendosët që të largoheshit nga skuadra e Flamurtarit?
Edhe pse dëshiroja që të qëndroja për një kohë më të gjatë, mosrespektim i kontratës dhe vonesa e pagave më shtyn që të merrja këtë vendim.
Po me trajnerin Daja keni biseduar para largimit? Çfarë ju tha?
Normalisht ja komunikova vendimin sepse kam respekt maksimal për të, më uroi sukses dhe fat në të ardhmen. Të dy na erdhi keq që bashkëpunimi jonë u mbyll këtu.
Ku do ta vazhdoni karrierën në pjesën e dytë të sezonit?
Me shumë gjasa në Maqedoni, por akoma nuk e di skuadrën sepse jam në bisedime me dy skuadra Renova dhe Rabotnicki.
Keni kaluar dy sezone te skuadra e Flamurtarit, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në Shqipëri?
Ka shumë gjëra të bukura në Shqipëri, por më shumë më habiste fakti që më thërrisnin maqedonas dhe nuk ishin në dijeni se ka shqiptarë që jetojnë në Maqedoni dhe se ne jemi një komb.
Niveli i futbollit në Shqipëri është më i lart apo më i ulët, krahasuar me Maqedoninë?
Varet nga këndvështrimi. Janë dy kampionate të ndryshme, atje (Shqipëri) luhet më fort dhe me më shumë taktikë, ndërkohë që në Maqedoni futbolli është më teknik
A ju vjen keq për eliminimin e Flamurtarit në Kupën e Shqipërisë?
Normalisht që më vjen keq sepse lash shumë shokë dhe vëllezër. I ndoqa për 90 minuta dhe më vjen keq që arbitri ndikoi. Sepse unë mendoi se rasti i minutës së 92-të ishte penallti. /Rozalb Lika-Koha Jone/