Irani replikën me Trump: Askush nuk na përjashton nga Botërori, e vendos FIFA
Kombëtarja e Iranit në futboll ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte sugjeruar se pjesëmarrja e Iranit në Botërorin e vitit 2026 mund të paraqiste rrezik për sigurinë e ekipit.
Në një mesazh të publikuar në Instagramin zyrtar, federata iraniane theksoi se pjesëmarrja në turne nuk varet nga vendimi i një shteti të vetëm. Sipas tyre, organizimi dhe rregullat e Kupës së Botës përcaktohen nga FIFA dhe jo nga një vend pritës.
“Nuk mund të na përjashtojë askush. Vendos FIFA, jo një shtet i vetëm. Ne jemi kualifikuar në fushë”, thuhet në reagimin e federatës.
Në deklaratë nënvizohet se kombëtarja iraniane e ka siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026 falë rezultateve sportive në fazën kualifikuese. Sipas tyre, Irani ishte ndër ekipet e para që siguroi biletën për fazën finale të turneut.
Federata shton se askush nuk ka të drejtë ta përjashtojë Iranin nga një kompeticion ndërkombëtar, duke theksuar se problemi mund të lindë vetëm nëse vendi organizator nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e delegacioneve pjesëmarrëse.
“Sigurisht, askush nuk mund ta përjashtojë kombëtaren iraniane nga Kupa e Botës. Përkundrazi, vendi që duhet të vihej në pikëpyetje do të ishte ai që mban titullin e ‘mikpritësit’, por nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e skuadrave pjesëmarrëse”, thuhet në deklaratë.
Deklaratat e federatës iraniane vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump reagoi në rrjetin e tij social duke komentuar çështjen.
Ai theksoi se kombëtarja iraniane është e mirëpritur në turne, por paralajmëroi për rreziqe të mundshme sigurie.
“Skuadra kombëtare e Iranit është e mirëpritur në Botëror, por nuk mendoj se është e përshtatshme që ata të jenë atje, për jetën dhe sigurinë e tyre”, deklaroi Trump.
Megjithatë, qëndrimi zyrtar i organizatorëve të turneut mbetet se vendimet për pjesëmarrjen në kompeticion merren nga Gianni Infantino dhe institucioni që ai drejton, FIFA, duke respektuar rregullat sportive dhe rezultatet e arritura në fushë.

KOHA JONË SONDAZH

