Irani rrezikon Kupën e Botës, ja kush pritet të zërë vendin e tyre
Tensionet gjeopolitike rrezikojnë të hedhin hije mbi Kupën e Botës 2026, turneun e parë në histori që do të organizohet nga tre vende: Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Meksika. Operacioni ushtarak i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit ka ngritur pikëpyetje serioze mbi pjesëmarrjen e përfaqësueses iraniane në turne.
Sipas kalendarit aktual, Irani ka planifikuar të zhvillojë dy ndeshje të fazës së grupeve në Los Angeles dhe një në Seattle. Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka deklaruar për televizionin shtetëror se nuk ka gjasa ta presim me besim Kupën e Botës, por u takon zyrtarëve sportivë të vendosin për këtë.
Irani është pjesë e Grupit G dhe pritet të përballet me Belgjikën, Zelandën e Re dhe Egjiptin. Megjithëse situata mbetet e paqartë, zyrtarët e FIFA-s, ndërsa nis numërimi mbrapsht 100-ditor për turneun, shprehen shpresëplotë se kriza do të zbutet në kohë për të garantuar pjesëmarrjen e sigurt të ekipit dhe tifozëve iranianë.
Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, foli në margjinat e mbledhjes vjetore të IFAB në Cardiff, duke theksuar se është ende herët për komente të detajuara, por do të monitorohen nga afër zhvillimet në të gjitha frontet. Qëllimi ynë është që Kupa e Botës të mbahet në mënyrë të sigurt, me të gjitha ekipet pjesëmarrëse.
Ndërkohë, situata e sigurisë në Meksikë është vënë gjithashtu në fokus pas dhunës së shpërthyer pas vrasjes së trafikantit të drogës Nemesio Oseguera Cervantes. Po ashtu, Shoqata e Futbollit të Katarit ka pezulluar të gjitha ndeshjet e kampionatit kombëtar pas ngjarjeve ushtarake të Iranit, i cili lëshoi raketa drejt Dohas.
Në një zhvillim tjetër, finalja miqësore mes Spanjës dhe Argjentinës, e planifikuar për më 27 mars në Doha, është në rrezik shtyrjeje, pavarësisht se janë shitur tashmë 90 mijë bileta. Ndërkohë, Federata Aziatike e Futbollit ka njoftuar shtyrjen e të gjitha ndeshjeve të Kupës së Azisë të planifikuara për ditët në vijim.
Me tensionet që vijojnë të përshkallëzohen, organizatorët përballen me një sfidë të madhe për të garantuar që festa më e madhe e futbollit botëror të mos ndikohet nga zhvillimet politike dhe ushtarake globale.
KOHA JONË SONDAZH

