Isco kërkon ribashkimin me Ancelottin, italiani e mirëpret në heshtje

Në ditët e fundit po flitet shumë për një ribashkim të Iscos me Carlo Ancelottin. Mesfushori i Real Madrid po vuan shumë këtë sezon nën drejtimin e Zinedine Zidane, pasi jo vetëm që ka humbur vendin e titullarit, por pothuajse nuk është aktivizuar fare.

Sipas raportimit të “Mirror”, spanjolli kërkon që të luajë sërish për Ancelottin, i cili është shumë i lumtur nëse ky transferim do të ndodhë. “Isco është një lojtar dhe person fantastik. Nuk jam shumë i fokusuar tek merkatoja, pasi na pret një javë e rëndësishme përpara”, deklaroi italiani kur u pyet rreth një transferimi të mundshëm të madrilenit.

Trajneri i Everton në fund të fjalës së tij buzëqeshi dhe bëri lëvizjen e famshme të vetullave të tij, çka tregon se do të ishte i kënaqur nëse Isco do të ishte sërish nën komandën e tij. Deri më tani flitet se Reali mund ta huazojë fantazistin në merkaton e janarit deri në fundin e sezonit, ku përveç Everton në garë për shërbimet e tij janë dhe Arsenal e Juventus.

SHKARKO APP