Ish-arbitri i FIFA-s/ Arsen Hoxha: Duka ka dështuar, ka detyruar punonjësit e FSHF-së të bëjnë fushatë politike për të vëllain deputet
Ish-gjyqtari i FIFA-s, Arsen Hoxha, deklaron se është paradoks i madh që Armand Duka të kërkojë mandatin e gjashtë në krye të FSHF-së. Sipas tij ka ardhur koha që futbolli shqiptar të ndryshojë rrënjësisht dhe se duhet të marrin fund praktikat uzurpuese të kopjuara nga politika në vendin tonë. Ish-disenjatori i arbitrave rrëfen në intervistën për “Panorama Sport” edhe se si gjyqtarët paguhen nga klubet dhe se si ata përdoreshin nga shefat në FSHF për të ndikuar në rezultatin e një ndeshjeje.
A ndodhet realisht aparati i FSHF-së dhe në tërësi futbolli shqiptar në një krizë mosbesimi?
Po. Në këtë prag zgjedhjesh, më shumë se çdo herë tjetër, kjo dukuri është bërë tepër evidente. Interesi ua ka humbur logjikën dhe i ka verbuar drejtuesit dhe punonjësit e FSHFsë. Ka kohë të gjatë që futbolli po operon me të njëjtat modele që operon edhe politika, dukuri kjo tipike shqiptare, ku në pjesën më të madhe të rasteve pushtetet uzurpohen nga persona që dukshëm kanë mangësi në nivelin e domosdoshëm të kulturës shoqërore e demokratike.
Kur ish-ambasadori i SHBA-së z.Lu tha: “Se edhe 100 vjet po të rrija unë në Shqipëri, asnjëherë nuk do t’i kuptoja dot politikanët shqiptarë”, kjo brenda saj kishte një domethënie të madhe. Z. Lu ishte shkolluar në disa nga shkollat më prestigjioze të diplomacisë botërore, por për fat të keq nuk kishte ndodhur kështu me politikanët dhe drejtuesit tanë, që kishin uzurpuar partitë dhe pushtetin, vetëm me një minimum formimi dhe eksperience, madje të arsimuar në fusha që nuk kanë pasur fare lidhje me politikën dhe diplomacinë. Për pasojë ata mbeten vetëm “elitë”, dhe as një herë të vetme nuk u bënë dot elitë e vërtetë e shoqërisë shqiptare.
Një kopje e tyre edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka. Është, madje, edhe më shumë se ata, sepse edhe përballë dështimesh të gjithanshme, korrupsionit galopant, veçanërisht në përcaktimin e rezultatit të ndeshjeve, e ndoshta edhe të abuzimeve me financat, kërkon një mandat të gjashtë, në një kohë që rekomandimet e FIFA-s dhe UEFA-s janë për maksimumi tri mandate. Vendet me nivelin më të lartë në botë e zbatojnë me korrektësi këtë detyrim. Z.Duka edhe pse drejton futbollin më të degjeneruar në Europë, kërkon mandatin e gjashtë?! Ky është një paradoks dhe njerëzit e ndershëm të komunitetit të futbollit nuk duhet të heshtin, por të marrin guximin e t’i thonë se në 20 vjet që ai drejtoi, nuk pruri dot atë përparim që shqiptarët prisnin. Tani futbolli ka nevojë të zhvillohet me mendësi të tjera.
A ka ndërhyrje politike në këtë proces?
Rolin e mbështetjes politike, z.Duka e ka kuptuar shumë mirë që në fillim të veprimtarisë së tij si biznesmen e më pas si president i FSHFsë. Është kjo arsyeja që ai dhe vëllai i tij nuk u shkëputën kurrë prej politikës, madje duke kaluar fare lehtë nga një parti në tjetrën. Kjo tregon qartë, se për ta nuk kanë rëndësi bindjet, por vetëm interesat. Edhe pse rregullat e futbollit të lartë botëror e ndalojnë kategorikisht angazhimin në politikë të shoqatave të futbollit, Armandi e ka mbështetur gjithmonë kandidimin e të vëllait dhe partisë ku ai ka qenë në koalicion. Madje, në çdo fushatë ai ka detyruar punonjësit “fakirë” të FSHFsë, që të marrin pjesë aktive në fushatat e tij. Ndaj rebelëve ka marrë masa deri në dëbimin nga puna, siç ka qenë rasti i të nderuarit Mexhit Haxhiu e disa të tjerëve.
Këtë keqpërdorim të postit zyrtar të tij e njohin të gjithë, por përballë humbjes së vendit të punës kanë preferuar të heshtin. Ndërhyrjet e tij dhe njerëzve përreth ishin tepër publike edhe në zgjedhjet e fundit. Madje, edhe lojtarë të ekipit kombëtar u bënë pjesë e kësaj loje të shëmtuar, që rregullorja ua ndalon në mënyrë kategorike.
Kryetari i Sindikatës së Futbollistëve, z.Lila, i dhuroi me dorën e tij, zotit Basha, kandidat për kryeministër, bluzën e ekipit kombëtar me mbishkrimin e triumfit. Duka heshti! Ajo që Dukën e tregon më shumë të pamoralshëm, nuk është angazhimi i tij dhe detyrimi që u bën punonjësve të institucionit për t’i vënë me detyrim në shërbimin e tij politik, por është mashtrimi që u bën drejtuesve të FIFA-s dhe UEFA-s.
Ju keni qenë një zë i fortë kritik për punën e arbitrave. Mendoni se drejtuesit e FSHF-së i kanë përdorur ata për interesat e tyre?
Dëmi më i madh që z. Duka i ka bërë Shoqatës së Arbitrave është se ajo ka qenë gjithmonë e udhëhequr tërësisht nga zyrtarët e tij, që nga kryetari e deri tek anëtari me i thjeshtë i saj. Për pasojë, demokracia e brendshme në atë pseudoshoqatë ka qenë zero. Tentativat që u bënë për krijimin e Komitetit të Arbitrave, ai i shkatërroi shumë shpejt dhe e ktheu atë në drejtimin e zyrtarëve të tij. Është e domosdoshme që Shoqata e Arbitrave duhet të përbëhet 100% nga arbitrat në aktivitet dhe drejtuesit e saj duhet të jenë vetëm nga anëtarët e saj. E gjithë kjo zallamahi është bërë thjesht që z. Duka të kishte një votë të sigurt nga kryetari i saj besnik. Ky është shkaku kryesor që kjo shoqatë ka më se 2 vjet pa bërë zgjedhje. Kur unë fillova punë në FSHF, në mënyrë konfidenciale pyeta disa prej arbitrave kryesorë dhe më rezultoi se:
– 100% të tyre pranuan se ekzistonte fenomeni i pagesave nga klubet për arbitrat e javës.
– 50% e tyre pranuan se janë përdorur nga zyrtarët e tyre më shumë se një herë.
– 100% e tyre pranuan se nuk guxonin të ngrinin një problem apo të jepnin një mendim ndryshe, sepse pasojat ishin të rënda deri në mosaktivizimin e tyre.
Këto unë i bëra publike në media sapo u njoha me to. Ishte shumë e pabesueshme kur unë mblidhja komisionin për të analizuar gabimet e rënda që dalloheshin si të qëllimshme dhe sekretari i FSHF-se z. Shulku, në mënyrë “konfidenciale”, të thoshte: “Mos e dënoni se arbitrin e kemi porositur ne”. Ky është një turp që zyrtarin e demoralizon për të bërë një punë të pastër në detyrën që i është besuar. Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se sa pastër kanë punuar drejtuesit e FSHF-së për një futboll të pastër. Unë kam qenë vazhdimisht kritik. Po kështu, publikisht kritik janë treguar edhe ish-arbitrat Lorenc Jemini, Ermal Barushi, Amarildo Gjeçi, Said Ahmeti etj. Këto deklarata, që në fakt përbëjnë edhe prova, duhen vlerësuar dhe nuk duhet të shkojnë në heshtje. Ndryshe metoda të tilla do të përdoren në vazhdimësi dhe pastërtia e garës futbollistike gjithmonë do të jetë e cunguar.
Në gjirin e punonjësve të aparatit të FSHFsë, veçanërisht në komisionet e arbitrimit, ka personalitete të futbollit që janë shquar për ndershmëri dhe objektivitet, por që për fat të keq asnjëherë nuk kanë marrë guximin që në media të kritikojnë dukuri të ndryshme që cenojnë rëndë pastërtinë e garës, thjesht se mos nervozohen drejtuesit e tyre. Por shembullin më të keq e kanë dhënë disa anëtarë komisionesh, servilë, të cilët menjëherë kanë reaguar, madje duke fyer kritikuesin e duke marrë në mbrojtje z. Duka, kur vetë ai nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar ndaj kritikes së bërë ndaj tij.
Edhe pse pozicioni i presidentit, anëtarit të Komitetit Ekzekutiv, kryetarit të Komitetit apo Shoqatës së Arbitrave, janë shumë të lakmuara, cila është arsyeja që të interesuarit stepen të konkurrojnë?
Sepse ekziston “gogoli” Duka. Duka dhe përkrahësit e tij, në mënyrë të qëllimshme, janë përpjekur vazhdimisht që ta paraqesin atë si të tmerrshëm (gogol) dhe si shumë të vështirë për t’u mposhtur. Qëllimi ka qenë që kandidatët të tremben dhe të largohen nga kjo ëndërr. Me këto metoda, u kanë prerë atyre hovin e guximin për të çuar në vend dëshirën dhe vullnetin e tyre.
– Duka që në fillim, duke futur në listën e votuesve zyrtarët e tij, hartoi një statut që veten e shndërroi në mbret.
– Deklaratat e tij të vazhdueshme, se do të largohet nga drejtimi i FSHF-së vetëm kur ta shikojë ai të arsyeshme, që do të thotë se me rrugë demokratike (vote) atë s’e largon dot njeri.
– Fetishizimi i vetvetes nëpërmjet rolit që mori për të vendosur se kush do të dalë nga kategoria apo do të ngjitet një më lart.
– Mënyra se si përjashtoi Dhori Priftin, një nga figurat më të ndritura të arbitrimit shqiptar, vetëm se tha një të vërtetë, si dhe largimin e arbitrave Lorenc Jemini dhe Ermal Barushi e mjaft të tjera si këto, e shndërruan atë në një perëndi të futbollit shqiptar, që sipas interesit, herë-herë shfaqet si një engjëll shpëtues e për tjetrin si një gogol, që pa uratën e tij nuk mund të futesh në oborrin mbretëror.
Për z. Duka, asnjëherë nuk ka pasur rëndësi niveli profesional dhe kulturor i vartësve të tij. Kriteri bazë është besnikëria ndaj tij edhe sikur futbolli të shuhet fare. Mbaj mend se në zgjedhjet e katër vjetëve më parë kandidoi për anëtar të Komitetit Ekzekutiv i shumënjohuri Artan Shytaj. I aftë, i kulturuar, me përvojë të mirë administrative, i drejtpërdrejtë dhe i paanshëm në mendimet dhe veprimet e tij. Përballë këtyre te vërtetave, kandidimi i tij për president do të ishte shumë i arsyeshëm, por ai duke njohur të vërtetat e hidhura, guxoi të kandidonte vetëm për anëtar komiteti. Me siguri, kur Artani pa se pa dëshirën e z. Duka nuk mund të futesh dot brenda mureve të kalasë së tij, në këto zgjedhje ku do të ishte plotësisht i justifikuar edhe kandidimi i tij për president të FSHF-se, ai nuk guxoi të kandidonte më as për anëtar komiteti. FSHF-ja realisht është në një krizë të madhe mosbesimi.
Kjo situatë kritike nuk ka ardhur vetëm për gabimet e Armand Dukës, por edhe nga heshtja e njerëzve të mirë që ndodhen në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së si dhe në aparatin e saj. Ka ardhur koha që këta ta këshillojnë z. Duka se egoizmi tij i tepruar për një mandat të gjashtë është i pajustifikuar, i paarsyeshëm dhe që do ta cenojë rëndë jo vetëm imazhin e tij, por edhe të institucionit që ai do të drejtojë. Ndërkohë, vetë z.Duka duhet të kuptojë se një FSHF, ku harmonia midis anëtarëve të saj është e cunguar, nuk i vlen futbollit shqiptar.