Ish-kampionët botërorë rusë të patinazhit, Vadim Naumov dhe gruaja e tij, Evgenia Shishkova vdesin në aksidentin ajror në SHBA

Një aeroplan pasagjerësh me 64 persona në të është përplasur me një helikopter ushtarak dhe për pasojë ka rënë në një lumë në Uashington.

Autoritetet kanë bërë të ditur se kanë arritur t’i nxjerrin trupat e 27 personave nga lumi Potomak, ndërsa një tjetër prej helikopterit.

Shefi i departamentit të zjarrfikësve në Uashington ka thënë se nuk pret të ketë të mbijetuar.

Ish-kampionët botërorë rusë të patinazhit, Vadim Naumov dhe gruaja e tij, Evgenia Shishkova, raportohet të jenë në mesin e viktimave si pasojë e rrëzimit të aeroplanit.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS dhe uebfaqja ruse e sportit, Sports.ru, kanë cituar burimet e tyre të kenë thënë se Naumov dhe Shishkova, të cilët kanë fituar medalje të arta në Kampionatin Botëror më 1994, kanë qenë në aeroplan.

Çifti është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara pasi kanë përfunduar karrierën dhe janë bërë trajnerë në fushën e patinazhit.

Djali i tyre 23-vjeçar, Maximi, është shtetas amerikan që garon për Shtetet e Bashkuara në gara ndërkombëtare.

Ai është shpallur kampion kombëtar i të rinjve më 2020.

SHKARKO APP